Në intervistën për “Top Story” me gazetarin Sokol Balla, ambasadori shqiptar në OKB, Ferit Hoxha, ka folur gjatë për rëndësinë e Shqipërisë teksa përgatitet për të marrë Presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Hoxha e cilësoi si të jashtëzakonshme performancën e Shqipërisë në OKB, dhe si një investim të madh që do të lërë më tej gjurmë.
Diplomati preku edhe temën e Kosovës në Këshillin e Sigurimit, teksa tha se më shumë duhet të fokusohet drejt OKB, pasi nuk është më çështje e paqes dhe e sigurisë, por është çështje e shtet-ndërtimit demokratik, e forcimit të kapaciteteve që nuk janë çështje që mund të zgjidhen apo që adresohen nga Këshilli i Sigurimit.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për më shumë agjenci, fonde dhe programe të OKB për të ndihmuar vendin dhe këtë nuk e bën Këshilli i Sigurimit.
“Fillimi ka qenë i mbarë, performanca e ekipit, politika e jashtme shqiptare, kanë dalë të lartësuar. Ky ekip dhe kolegët në ministri, ka bërë që ne të rrisim autoritetin vendit politikës tonë të jashtme, dhe të befasojmë që një vend i vogël të ketë një cilësi që mbase shumë nuk e prisnin. Ne do mundohemi që ta mbajmë këtë ta shtojmë dhe investojmë edhe si kontribut për kredencialet tona evropiane.
Vendet e BE sot janë në minimumin historik që kanë qenë, Irlanda dhe Franca. Rekordi i Shqipërisë është i padiskutueshëm. Ne do mundohemi që kjo performancë e Shqipërisë të jetë një investim i mirë, afatgjatë dhe bindës për predencialet tona, për aftësinë tonë për të qenë një lojtar i ndershëm dhe për të qenë pjesë e mendimit dhe veprimit europian, edhe përmes Këshillit të Sigurimit. Ne do mundohemi që gjatë këtyre dy viteve imazhi i Shqipërisë në tërësi, serioziteti me të cilin kemi punuar, të ndikojë që të ndihemi mirë, të ndihemi krenarë dhe të jetë gjurmëlënës. Ne duam të lëmë gjurmë dhe kemi filluar të lëmë gjurmë.
Është hera e parë në historinë tonë, nuk e di se kur do të vijë hera e dytë, por do mundohemi të lëmë sa më shumë gjurmë, për një veprim të sinqertë, të një vendi që ka pritur gjatë, por ka fituar maturinë që të përballet me të tjerët si i barabartë.
Ne duam sa më pak Kosovën në Këshillin e sigurimit dhe sa më shumë Kosovën në OKB, sepse Kosova sot nuk është më çështje e paqes dhe e sigurisë, që është dhe arsyeja e ekzistencës së kësaj tryeze. Kosova nuk është më çështje e kapitullit të shtatë të Kombeve të Bashkuara. Kosova tashmë është çështje e shtet-ndërtimit demokratik, është çështje e forcimit të kapaciteteve që nuk janë çështje që mund të zgjidhen apo që adresohen nga Këshilli i Sigurimit. Kosova ka nevojë për më shumë unicef, agjenci fonde dhe programe për të ndihmuar vendin, shoqërinë dhe këtë nuk e bën Këshilli i Sigurimit. Duam t’i reduktojmë takimet se e quajmë kohë të humbur të diskutojmë për një situatë, ku instuticionet vendase, ndërveprimi rajonal, dhe ndërveprimi apo aksioni i organizatave të tjera mund të bëjnë më shumë sesa Këshilli i Sigurimit. Ne mendojmë që ajo kohë që harxhojmë për Kosovën, mund të harxhohet për kriza të situatave të tjera”, tha Ferit Hoxha për “Top Story”.
Top Channel