Ambasadori amerikan Wendt takim me drejtuesin e SPAK dhe BKH-së: Lufta kundër krimit, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm, përparësitë e Trump

05/10/2026 17:38

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbeten përparësi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Ambasadori i ri amerikan në Tiranë, Eric Wendt, zhvilloi një takim me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodjan Braho, dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta, ku theksoi rolin e rëndësishëm të institucioneve të pavarura përballë këtyre sfidave.

Ambasada amerikane në vendin tonë publikoi foto të takimit të kryediplomatit Wendt me drejtuesit e SPAK dhe BKH, duke sjellë edhe njëherë në kujtesë prioritetet e ambasadorit në Shqipëri.

“Lufta kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm është ndër përparësitë kryesore të Presidentit Donald Trump. Ambasadori Eric Wendt u takua me drejtuesit e SPAK-ut për të diskutuar rolin vendimtar të institucioneve të pavarura në përballimin e këtyre sfidave dhe se si partneriteti ynë kontribuon për një të ardhme më të sigurt e më të begatë për të dy kombet tona”.

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara, Eric Wendt, nisi misionin diplomatik në Shqipëri pak ditë më parë, ku takimin e parë e kishte me kryeministrin Edi Rama dhe shefin e diplomacisë shqiptare, Ferit Hoxha. Ai vjen në Shqipëri tre vite pasi misioni diplomatik amerikan u drejtua në nivel Të Ngarkuari me Punë, që nga largimi i Yuri Kim, në 2023-shin.

Top Channel