Përfaqësuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi në një lidhje live për “Top Talk” foli për cilësitë që duhet të ketë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë.
Krasniqi bazuar në situatën aktuale të kandidaturave për president tregoi disa detaje më tepër në lidhje me cilësitë që duhet të ketë kreu i shtetit.
Ai tha se kushti i parë që duhet të plotësohet është sigurimi i firmave të deputetëve, duke e konsideruar pjesën tjetër një show politik.
“Kushtetuta është e qartë që kandidatët që mbledhin 20 firma deputetësh mund të jenë kandidatë, pjesa tjetër është show. Partia Socialiste u kujdes më shumë për dekorin se sa për procesin”, tha Krasniqi.
Sipas tij partia që do të ketë kandidatë, nëse nuk do të ketë besim nga publiku nuk vazhdon dot më tej, duke shtuar se presidenti i ardhshëm duhet të jetë një ndërthurje midis politikës dhe civiles.
“Unë nuk mendoj që presidenti mund të vijë nga jashtë dijeve politike por duhet të jetë një produkt i tillë që bashkon politikën dhe civilen”, tha Krasniqi.
Krasniqi u shpreh se mosha dhe gjinia nuk janë përcaktuese, të cilat do të ndikojnë në marrjen e postit presidencial në të ardhmen, duke lënë të nënkuptohej se e rëndësishme është kryerja denjësisht e detyrës.
“Unë nuk mendoj që karakteret gjinore apo moshore janë përcaktuese, mendoj që përcaktuese janë disa standarde te tjera”, shtoi më tej ai.
Top Channel