Edhe pse bëhet fjalë për objektiva të kundërt, Egnatia – Tirana është një ndër sfidat më interesante të javës së 29-të të Kategorisë Superiore. Kjo pasi bëhet fjalë për dy nga skuadrat më në formë të kampionatit.

Diçka për të cilën bardheblutë dhanë një provë të fortë në sfidën e fundit, ku u treguan të pamëshirshëm kur gjunjëzuan 4-0 Skënderbeun, duke i dhënë ndoshta goditjen përfundimtare formacionit korçar. Shehi ndërkohë është i vendosur të hedhë në fushë më të mirët për të mbyllur sa më shpejt edhe matematikisht llogaritë e titullit.

Në krahun tjetër, Egnatia vjen në një formë të shkëlqyer, formacioni i Zekeria Ramadanit ishte ndër më të mirët e fazës së tretë dhe në këtë sfidë vjen pas dy fitoresh dhe dy barazimesh, kanë ndalur Partizanin dhe Kukësit duke triumfuar ndaj Vllaznisë dhe Dinamos.

Gjithsesi aktualisht në vendin e tetë që të detyron të luash edhe një sfidë play out-i për të siguruar mbijetesën, objektivi i Egnatias është pikë së pari të mos lejojë afrimin e Dinamos që është 8 pikë larg, dhe pse jo të parakalojë një mes Teutës dhe Kastriotit për ta mbyllur çështjen e qëndrimit pa sfidën shtesë.

Objektiva për të cilat skuadra e Ramadanit duket se i ka të gjitha letrat në rregull, pasi ka fituar siguri në mbrojtje, një repart që në 3 ndeshjet e fundit ka pësuar vetëm një gol, ndërsa sulmi ka shënuar 6.

Gjithsesi tanimë reparti sulmuesi i Egnatias është para një prove të vështirë, mbrojtjes më të mirë të kampionatit të cilës rrogozhinasit në 3 përballjet e mëparshme sezonale i kanë shënuar vetëm një, herë në fazën e parë kur barazuan 1-1 ndërsa dy sfidat e tjera janë fituar nga bardheblutë.

Top Channel