Tifozët gjermanë “pushtuan” Camp Nou, Xavi dhe Laporta në një mendje: E turpshme!

15/04/2022 16:45

Barcelona e mbylli me turp rrugëtimin e saj në Europa League teksa katalanasit u mposhtën në shtëpi me rezultatin 2-3 ndaj Eintracht Frankfurt.

Të besuarit e trajnerit Xavi Hernandez nuk patën forcën për të përballur furinë e gjermanëve, të cilët ishin të ekzaltuar edhe nga atmosfera në stadiumin Camp Nou.

Më shumë se 30.000 tifozë të gjermanëve ia dolën të siguronin një biletë dhe të ndjeheshin si në shtëpinë e tyre edhe pse ndeshja luhej në Spanjë. Pas sfidës, trajneri Xavi, por edhe presidenti Joan Laporta theksuan se ajo që ndodhi me tifozët ishte një turp, ndërsa prisnin një atmosferë krejtësisht të ndryshme.

“Prisja një Camp Nou me 70 apo 80.000 tifozë të Barcelonës, por nuk ndodhi kështu. Ishte si një finale në të cilën publiku është i ndarë 50 me 50. Kishte shumë gjermanë në stadium dhe besoj se klubi po kontrollon se çfarë shkoi keq. E sigurt është se nga kampi jonë nuk janë bërë mirë llogaritë”, u shpreh Xavi.

Nga ana tjetër, presidenti Laporta shtoi se një Camp Nou plot me tifozerinë kundërshtare nuk duhet të përsëritet. “Pres që diçka e tillë të mos përsëritet më kurrë, është një turp ajo që përjetuam në Camp Nou. Si një fans i Barcelonës ndihem i turpëruar dhe me vjen shumë keq për atë se çfarë ndodhi”, theksoi Laporta.

Top Channel