Rruga drejt Tiranës/ Roma kualifikohet me “poker”, festojnë edhe Marseille e Feyenoord

15/04/2022 18:43

Roma, Feyenoord dhe Marseille i bashkohen Leicester City në gjysmëfinalet e Conference League. Pas “Dhelprave” që eliminuan PSV, erdhën edhe kualifikimet e tre skuadrave të tjera.

Roma-Leicester City dhe Feyenoord-Marseille janë dy duelet gjysmëfinale të turneut, që do të shpallë fituesin në finalen e madhe të 25 majit në “Air Albania”.

Ekipi i Jose Mourinhos mposhti 4-0 Bodo/Glimt në një “Olimpico” të mbushur plot për të shijuar fitoren e parë ndaj kampionëve të Norvegjisë dhe kalimin në katër ekipet më të mira të kompeticionit.

Bodo/Glimt vinte pas fitores 2-1 në shtëpi, por verdhekuqtë zgjidhën gjithçka në pjesën e parë. Tammy Abraham hapi serinë e golave në minutën e gjashtë, ndërsa më pas pati Nicolo Zaniolo “show”.

22-vjeçari kompletoi “pokerin” e Romës me tripletën e tij. Në fillim konkretizoi një aksion shumë të bukur të skuadrës së tij (23’), më pas finalizoi një kundërsulm të shpejtë (29’), ndërsa në pjesën e dytë (49’) gjeti trekëndëshin e portës mike me një gjuajtje potente.

Marseille ia doli të mposhtë PAOK-un për herë të dytë. Pasi fitoi 2-1 në “Velodrome”, skuadra franceze triumfoi 0-1 në Selanik falë golit të Dimitri Payet (34’). Marseille do të sfidojë Feyenoord për një biletë në finalen e madhe të Tiranës.

Skuadra holandeze eliminoi Slavia Prague e Peter Olayinka. Takimi i parë i luajtur në Holandë u mbyll në barazim 3-3, teksa ekipi nga Roterdami fitoi 1-3 në kryeqytetin çek, ndeshje ku nuk munguan gafat. Cyriel Dessers (2x) dhe Luis Sinisterra shënuan golat për ekipin mik, ndërsa Ibrahim Traore barazoi përkohësisht për Slavian.

Top Channel