Xavi, “ndihmë” tifozëve, ultrasit e Eintrachtit duan të pushtojnë mitikun “Cam Nou”

08/04/2022 11:16

Eintrachti i Frankfurtit rezultoi një kundërshtar tepër i fortë për Barcelonën, edhe pse ishin të shumtë ata që mendonin se “blaugranat” do ta kishin si shëtitje këtë raund të Europa League.

Sapo përfundoi ndeshja (1-1), Xavi Hernández e bëri të qartë se për t’u kualifikuar në gjysmëfinale duhet edhe mbështetja maksimale e publikut.

“Të enjten tjetër do të kemi nevojë për publikun në “Camp Nou” për të na ndihmuar. Shpresojmë që stadiumi të jetë plot si sot, sepse publiku ka qenë vendimtar në mbështetjen e lojtarëve dhe tani është radha jonë”.

Xavi, si dhe pjesa tjetër e skuadrës, u largua i impresionuar nga stadiumi gjerman. Ishte e qartë se për Eintrachtin ishte “më shumë se një ndeshje” dhe atmosfera në tribuna ishte mbresëlënëse.

Kërkesa e trajnerit të Barcelonës ka shumë kuptim, pasi edhe pse prania e tifozëve në “Camp Nou” është rritur kohët e fundit, duhet pasur parasysh se java e ardhshme është festë dhe se për Pashkë shumë tifozë do të përfitojnë nga rasti për të udhëtuar.

Tifozët e Eintrachtit kanë planifikuar të udhëtojnë masivisht drejt Barcelonës. Skuadra gjermane ka konfirmuar se ka marrë 25 mijë kërkesa për bileta për ndeshjen në “Camp Nou”, por kuptohet nuk mund t’I kënaqë të gjithë. Në stadium do të jenë maksimumi 3000 gjermanë.

Top Channel