Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak, risolli në vëmendje programin e rindërtimit, kur tha se së shpejti do të nisë edhe ndërtimi i shtëpive në Pezë.
Një pjesë e fjalës së Veliajt në mbledhjen e Këshillit Bashkiak:
“Sapo kemi zhbllokuar procesin e rindërtimit të shtëpive në Pezë – edhe aty ka mbaruar infrastruktura rrugore, së shpejti nisim me ndërtimin e shtëpive. Pashë lajmet në një televizion, që qartazi e ka një krah dhe agjendë politike thoshte: Shtëpitë po shkojnë te varrezat, varrezat po shkojnë te shtëpitë në Baldushk. Ky është nonsens! Kur pronarët e atij televizioni qeverisnin vendin, në varrezat e Sharrës ndërtohej pa leje në mes të varrezave.
Ku ka toka publike, të ish-kooperativës ose të reparteve ushtarake, bashkia mundohet t’i vërë në funksion të saj, që të ulë sa më shumë kostot e shpronësimit. Ndaj, ftesa për kolegët e opozitës është se nuk mund të bëhet politikë me gjithçka, sidomos kur vetë ke qenë në krye të shtetit dhe në varreza artistët varroseshin në asfalt.
Le të mos bëjmë politikë për këto dhe le të ecim përpara me historinë e rindërtimit pas tërmetit. Vendimi që marrim sot na zhbllokon një pjesë të madhe të fondeve të atyre që do t’i ndërtojnë vetë shtëpitë”.
Top Channel