Arbitrimi në shifra/ Nga VAR-i te penalltitë, skuadrat që kanë përfituar më shumë

06/04/2022 10:20

Me mbylljen e fazës së tretë të sezonit, nuk ka më dyshime për objektivat që kanë skuadrat e Superiores për pjesën e mbetur të sezonit.

Tashmë janë për t’u zhvilluar edhe 9 sfida deri në verdiktin final dhe të 12 skuadrat janë me laps në dorë për të bërë llogaritë e fundit. Edhe pse në tri fazat e para në të gjitha takimet është aplikuar sistemi VAR, nuk kanë munguar polemikat në raste të veçanta për vendimet e diktuara nga teknologjia. Por nëse u referohesh statistikave, ka një lloj ekuilibri mbi vendimet pro dhe kundër të VAR-it në 27 javë.

Skuadra që ka “përfituar” më shumë nga ndërhyrja e teknologjisë është Partizani, që nga 15 vendime në total të marra pasi janë riparë pamjet në monitor, në 9 raste i ka pasur në favor dhe katër të tjera kundër. Skuadra e kuqe është gjithashtu ajo që ka fituar më shumë 11-metërsha, plot 9 (vetëm 6 ka shndërruar në gola), pra 1 në çdo tri ndeshje, ndërsa kundër i janë dhënë 4 dhe të gjitha janë shënuar. Por edhe me këto “ndihma” Partizani ka zhgënjyer në kampionat.

Skuadra është “ndëshkuar” më shumë nga sistemi VAR është Vllaznia: 9 vendime të marra me ndërhyrjen e teknologjisë nuk kanë qenë në favor të kuqebluve, ndërsa në 7 raste është “favorizuar”. Sa u përket penalltive, sikurse në rastet e Laçit dhe Kukësit, ekipi shkodran ka fituar 6 11-metërsha dhe i janë dhënë 3 kundër.

Interesant fakti që një ekip i Superiores nuk ka pasur asnjë vendim të VAR-it pro tij: është pikërisht Kastrioti, që pas ndërhyrjes së teknologjisë, është ndëshkuar në 4 raste.

Tirana është shembulli më i qartë që tregon se një skuadër e fortë dhe pretendente nuk ndikohet në rezultatet që merr në fushën e blertë nga vendimet e VAR-it (po dhe kundër) apo numri i penalltive që fiton. Të dy këta tregues në rastin e badhebluve anojnë nga negativja, por skuadra e Orges Shehit e kryeson bindshëm kampionatit.

Përdorimi i sistemit VAR u ka hequr një barrë të rëndë arbitrave, pasi në rastet vendimtare jepet sinjalizimi nga dhoma e VAR-it, për të konfirmuar apo anuluar një vendim të dyshimtë. Megjithatë, në FSHF ka një komision vlerësimi të gjyqtarëve dhe kuptohet më të mirët gjykojmë më shumë ndeshje në Superiore. Më poshtë është bërë një klasifikim i arbitrave kryesorë duke u bazuar të numri i ndeshjeve të gjykuara.

Top Channel