Mourinho flet për luftën: Është dështim njerëzor, humbja e parimeve për t’u zhvilluar

05/04/2022 21:17

Arsimi, sporti, vlerat njerëzore dhe konflikti në Ukrainë. Këto janë disa nga çështjet e trajtuara nga Jose Mourinho në dialogun e promovuar nga “L’Osservatore Romano” me Kardinalin Jose’ Tolentino de Mendonça, arkivist dhe bibliotekar i Kishës së Shenjtë Romake.

“Prej shumë vitesh kam dashur të fitoj për veten time, ndërsa tani jam në një moment në të cilin vazhdoj të dua të fitoj, por jo më për mua, por për lojtarët që nuk kanë fituar ndonjëherë, dua t’i ndihmoj.”

Një bisedë, ajo me kardinalin Tolentino, e lidhur nga pasioni i të dyve për filozofin Manuel Se’rgio.

“Ndikoi shumë tek unë, në kuptimin që secili person është i ndryshëm nga tjetri, në këtë rast secili lojtar është i ndryshëm nga tjetri. Unë kam qenë në gjendje të punoj mirë bazuar në diçka jashtëzakonisht të thjeshtë: dashurinë, ndjeshmërinë dhe marrëdhëniet njerëzore. Kam arritur rezultate të paimagjinueshme për mua që e konsideroja veten shumë të papërgatitur nga pikëpamja teknike, duke u mbështetur ekskluzivisht në marrëdhëniet njerëzore”.

Një koment për momentin që Evropa po përjeton me konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës është i pashmangshëm.

“Papa për mua është një burim frymëzimi kur thotë se lufta është një dështim i njerëzimit, i politikanëve. Unë mendoj pikërisht këtë, mendoj se është një dështim më parë njerëzor pastaj dhe politik. Është dështim brutal, është humbja e parimeve ose dështimi i tyre për t’u zhvilluar, dhe evoluimi i mendimit njerëzor në drejtimin e gabuar”, – përfundoi Mourinho.

Top Channel