Ronald Koeman përgatit kthimin në krye të “tulipanëve”

04/04/2022 22:33

Qëndrimi i Louis Van Gaal si trajner i Holandës ka si datë skadence Kupën e Botës “Katarit 2022”.

Çfarëdo që të ndodhë, ai nuk do të jetë në krye të “Tulipanëve” pas eventit që do të zhvillohet në fund të vitit. Jo sepse është diagnostikuar me kancer “agresiv” të prostatës, për të cilin tashmë ka kryer 25 seanca radioterapie, por sepse kështu ishte rënë dakord me teknikut 70-vjeçar.

Zëvendësuesi i tij, sipas “Voetbal Flitsen”, do të jetë një njohje e vjetër: Ronald Koeman. Për të do të ishte aventura e dytë në krye të përfaqësueses portokalli. “De Telegraaf” plotëson informacionin duke shtuar se po kërkohet menjëherë një marrëveshje në rast se sëmundja e Van Gaalit avancon.

Etapa e parë e Koemanit në kombëtaren holandeze ishte pozitive. Në 20 ndeshje arriti 11 fitore, pesë barazime dhe katër humbje. Dy vjet në krye të skuadrës (midis 2018 dhe 2020) arriti në finalen e Ligës së Kombeve, megjithëse rezultati nuk ishte ai i dëshiruari: Portugalia fitoi edicionin e parë të këtij turneu pasi triumfoi 1-0 ndaj “tulipanëve”.

Top Channel