Një 16-vjeçar i identifikuar si O.H., është ndaluar nga policia e Tiranës pasi akuzohet për vjedhje në biznese të ndryshme.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “The Last”, u bë e mundur kapja e të riut që maskohej me kapuç për t’iu shmangur identifikimit të kamerave të subjekteve,.
16-vjeçari, në kohë dhe vende të ndryshme, gjatë orëve të vona të natës, kryente vjedhje në biznese në zona të ndryshme të Tiranës.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se në kohë e vende të ndryshme, 16-vjeçari ka kryer një sërë vjedhjesh, ku 9 prej tyre janë zbardhur e dokumentuar me prova ligjore.
Prej muajit shkurt 2022 deri mbrëmjen e djeshme, që u kap në flagrancë pas një jave ndjekje nga shërbimet e Seksionit të Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, ka vjedhur në 6 markete, në një magazinë, në një automjet dhe në një banesë, sende të ndryshme dhe shuma parash.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel