100 minuta betejë, i kuq, VAR, penallti dhe traversë! “Paqe” mes Uzunit dhe Balliut

03/04/2022 22:16

Nuk ka fitues në derbin mes Myrto Uzunit dhe Ivan Balliut. Granada-Rayo Vallecano u mbyll në barazim 2-2, rezultat të cilit iu gëzuan më shumë vendasit për mënyrën se si shkoi ndeshja.

Skuadra e Balliut zhvilloi një pjesë të parë perfekte, të cilën e mbylli në avantazh të dyfishtë nëpërmjet golave të Alejandro Catena dhe Sergio Guardiola në 17 minutat e para.

Santi Comesana la Rayon me dhjetë lojtarë (51’) pas dy kartonëve të verdhë të marra brenda dy minutave. Granada mori zemër dhe nisi të besojë tek evitimi i humbjes. Myrto Uzuni u fut në fushë në minutën e 61-të dhe u shfaq protagonist me krosimin e tij te goli i parë.

Jorge Molina rihapi ndeshjen dhe Granada nuk i ndali sulmet. VAR-i i erdhi në ndihmë ekipit vendas, që fitoi një penallti në minutën e tretë shtesë. Luis Milla u tregua i saktë (90+4′), teksa Granada tentoi edhe golin e fitores, por Machis gaboi i vetëm përballë portierit kundërshtar, ndërsa Molina u ndal nga traversa.

Beteja mes dy ekipeve përfundoi pa fitues pas 100 minutave lojë, me Granadën që ndodhet tre pikë mbi zonën e ftohtë, ndërsa Rayo, që nuk fiton prej 10 ndeshjesh, qëndron e qetë në vendin e 13-të.

Top Channel