Recep Tayyip Erdogan vendosi t`i ndërmjetësojë vetë këtë herë bisedimet mes delegacioneve ruse dhe ukrainase, që kanë nisur tashmë në Stamboll. Rifilluan bisedimet në Stamboll. Kreu i shtetit turk e bëri të qartë se përparimi në këto negociata mund t`i hapë rrugën për një takim mes udhëheqësve të të dy vendeve.
“Si anëtarë të delegacioneve ju keni marrë një përgjegjësi historike. E gjithë bota është në pritje të lajmit të mirë që do të vijë nga ju. Turqia është plotësisht e gatshme që të kontribuojë në arritjen e paqes.”- tha ai.
Më tej, ai shpjegoi se i duhet të largohet nga Turqia për një vizitë në Uzbekistan, por tha se ministri i Jashtëm Mevlut Cavusoglu, do të qëndrojë në Stamboll për të ndihmuar në lehtësimin e bisedimeve. Delegacionet është planifikuar të mbajnë dy ditë negociata në një ndërtesë qeveritare ngjitur me pallatin osman të shekullit të 19-të, Dolmabahçe, në brigjet e Bosforit.
Bisedimet e mëparshme midis palëve, të mbajtura qoftë personalisht në Bjellorusi ose përmes video lidhjeve, nuk arritën të shënonin përparim në përfundimin e luftës njëmujore, që ka lënë pas vetes mijëra të vrarë e ka detyruar mbi 10 milionë ukrainas të shpërngulen. Përpara takimit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se vendi i tij është i gatshëm të deklarojë neutralitetin, siç ka kërkuar Moska, dhe është i hapur për kompromis rreth fatit të Donbasit, rajonit të kontestuar në lindje të vendit.
Top Channel