Një muaj luftë! Bideni dhe liderët europianë në Bruksel: Shtojmë forcat në Lindje, më shumë armë për Ukrainën

24/03/2022 14:30

Në një gjest uniteti, rrallëherë të parë në Perëndim, NATO, G7 dhe BE mbajtën takime sot, duke i treguar botës një front të bashkuar të perëndimit për luftën në Ukrainë.

Presidenti amerikan Joe Biden shkoi në Bruksel për t’iu bashkuar liderëve të tjerë perëndimorë, mes krerëve të NATO-s atje i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama. Biden ishte të trija takimet, e kjo përbën dhe të parën vizitë të një presidenti amerikan në një samit të bllokut europian.

Liderët e NATO-s kanë marrë vendimin për të shtuar trupat e forcave të armatosura në Lindje, në ditën kur në Ukrainë bëhet një muaj nga momenti kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e vendit fqinj. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas samitit të jashtëzakonshëm, u shpreh se është rënë dakord për të ndihmuar Ukrainën me municione dhe armatime të tjera.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje sot njerëzve në gjithë botën që të dalin në rrugë dhe të protestojnë si shenjë mbështetjeje për Ukrainën. Sipas tij, lufta e Rusisë nuk është vetëm kundër Ukrainës, por edhe kundër lirisë së njerëzve.  Gjithandej, bota duhet ta ndalë Rusinë, shtoi Zelensky.

Teksa BE-ja tenton të ndërpresë lidhjet energjetike me Rusinë, asaj i duhet nga ana tjetër të farkëtojë e përforcojë relata të tjera, përfshirë ato me SHBA-në. 30 presidentët dhe kryeministrat e aleancës pritet të pajtohen në takim me idenë se nevojitet më shumë ndihmë për Ukrainën dhe me dislokime te reja trupash në lindje të Europës.

18:47 Biden: E paralajmërova Kinën, e di çfarë e pret nëse mbështet Rusinë

Presidenti i SHBA Joe Biden është pyetur nëse ai ka parë ndonjë shenjë veprimi, ose mungesë veprimi nga ana e Kinës në luftën e Rusisë. Biden tha se ia ka bërë të qartë presidentit të Kinës pasojat e nëse do të ndihmonte Rusinë. Ai tha se Kina do t’i vendoste marrëdhëniet e tyre ekonomike me Evropën dhe SHBA-në në rrezik të madh nëse do përfshihej në krahun e Rusisë.

18:43 Biden kërcënon: Do të përgjigjemi nëse Rusia përdor armët bërthamore

Presidenti Joe Biden kërcënoi se SHBA do të përgjigjet nëse Vladimir Putin vendos të përdorë armë të forta në luftën ndaj Ukrainës. I pyetur nëse ka informacion mbi inteligjencën amerikane lidhur me armët e forta, Biden tha se nuk e di, por nëse do të përdoren, do të ketë përgjigje nga ana e SHBA-së. Ai tha edhe njëherë se SHBA po shpallte sanksione të reja ndaj 400 individëve dhe subjekteve ruse, duke përfshirë 300 anëtarë të Dumës,  parlamentit të Rusisë, si dhe oligarkëve dhe kompanive që sipas tij ‘ushqejnë makinën ruse të luftës’. Ai shtoi se Putini e ka llogaritur keq në vendimin e tij për të pushtuar Ukrainën, ndërsa shtoi se NATO tashmë është më e bashkuar se kurrë.

18:20 Macron paralajmëron krizën ushqimore: Situata do të jetë më e keqe në muajt e ardhshëm

Pas takimit me liderët e NATO-s, presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se Rusia po izolohet gjithnjë e më shumë në skenën botërore. Macron tha se është e rëndësishme që të shmanget përshkallëzimi i konfliktit dhe këtë e konsideron arsyen përse NATO mori vendimin për të mbështetur Ukrainën pa i shpallur luftë Rusisë.

17:55 Udhëheqësit e G7 paralajmërojnë Rusinë për armët bërthamore

Në një deklaratë të përbashkët këtë të enjte, udhëheqësit e G7 paralajmëruan Rusinë kundër përdorimit të armëve kimike, biologjike ose bërthamore në pushtimin e Ukrainës. “Ne paralajmërojmë kundër çdo kërcënimi të përdorimit të armëve kimike, biologjike dhe bërthamore ose materialeve të ngjashme,” shkruajtën liderët pas takimit në Bruksel.

17:36 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miraton rezolutën e re. Kush votoi kundër

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar një rezolutë të re që kërkon ndalim të menjëhershëm të luftës së Rusisë në Ukrainë. Rezoluta e miratuar, bën thirrje që të ketë akses për ndihmë dhe mbrojtje civile ndaj Ukrainës. Ajo kritikon Rusinë për luftën, e cila nuk ka kursyer as njerëzit e thjeshtë. Në votimin në selinë e OKB-së në Nju Jork, 140 vende votuan pro dhe 38 abstenuan.

17:26 Po prisnin të merrnin ndihma, rusët vrasin 6 qytetarë në Kharkiv

Një sulm me raketë ruse goditi një parking në një qendër tregtare në Kharkiv, duke vrarë gjashtë persona dhe duke plagosur 15 të tjerë, tha guvernatori rajonal, Oleg Syniehubov. Në momentin e sulmit, njerëzit po prisnin jashtë një zyre postare në qendër për të marrë ndihmën humanitare, tha Syniehubov.

17:17 Ukraina: Rusia ka humbur mbi 15 mijë ushtarë në një muaj luftë

Rusia ka humbur 15,800 persona që kur trupat pushtuan Ukrainën më 24 shkurt, sipas qeverisë së Ukrainës. Autoritetet gjithashtu pohuan se forcat e armatosura ruse kanë humbur tani 1,597 automjete të blinduara, 124 helikopterë dhe 530 tanke.

16:55 Robërit ukrainas kthehen në shtëpi, shkëmbehen me ata të Rusisë

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk ka bërë me dije se ka ndodhur thotë se ka ndodhur shkëmbimi i parë i robërve të luftës. Në një deklaratë të postuar në Facebook, Vereshchuk tha se 11 marinarë civilë rusë u kthyen në vendin e tyre.

16:27 Europë, gazi e nafta “me racion”, varësia shkëputet në 2025

Çmimet e energjisë janë rritur në mbarë botën në mesin e përpjekjeve për të shmangur naftën e papërpunuar ruse. Ajo është ndaluar tashmë ndaluar nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia, dhe mjaft kompani të arit të zi në Europë, po përpiqen ta heqin gradualisht. Por nëse Europa do të miratonte një embargo të plotë, kjo thotë CNN, mund ta detyronte Rusinë të reduktonte furnizimet me 3 milionë fuçi në ditë, duke e vënë globin përballë rrezikut të një mungese ekstreme të furnizimit nëse vendet e OPEC-ut nuk fillojnë të rrisin me shpejtësi prodhimin – vendim ky, të cilin deri tani, kanë hezituar ta marrin.

16:26 NATO armatos Ukrainën, i tregon Moskës vijat e kuqe

Krerët e NATO-s u mblodhën në samitin e jashtëzakonshëm të Brukselit me një qëllim të qartë: Diskutimin e përgjigjes afatshkurtër, por edhe asaj afatgjatë të aleancës veri-atlantike ndaj sulmit rus në Ukrainë.

13:40 NATO “godet” rëndë Rusinë: Shifra dërrmuese për Putinin, 40 mijë trupa ruse në Ukrainë

NATO përllogarit që deri në 40 mijë trupa ruse janë vrarë, plagosur apo kapur rob që nga fillimi i pushtimit të Moskës në Ukrainë.

11:04 Rama në Bruksel, takohen liderët e NATO-s, nis samiti i jashtëzakonshëm

Liderët evropian dhe amerikan u takuan sot për herë të parë që prej fillimit të konfliktit në Ukrainë.

10:30 “Bomba me fosfor të bardhë në Ukrainë”

Trupat ruse kanë hedhur në lindje të Ukrainës bomba me fosfor të bardhë, deklaroi kreu i administratës ushtarake ukrainase në Luhansk, Sergey Gaidai.

09:30 Çfarë pritet nga samiti i NATO-s?

Liderët evropianë dhe SHBA po përgatiten të takohen për herë të parë që prej fillimit të konfliktit në Ukrainë. Gjëja kryesore që Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dëshiron mbyllja e kufirit ajror me Rusinë, por kjo nuk ka ndodhur sepse rreziku i konfliktit me rusët do të jetë shumë i madh. Gjithashtu pritet të dëgjohet se çfarë mbështetje do t’i jepet Ukrainës për të luftuar një sulm kimik ose biologjik, pasi SHBA ka ngritur shqetësimet e saj se Rusia mund t’i drejtohet kësaj mundësie.

09:16 Stoltenberg: Putini bëri “gabim të madh” me pushtim të Ukrainës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, thotë se presidenti rus Vladimir Putin ka bërë “gabim të madh” me pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA