Trupat ruse kanë hedhur në lindje të Ukrainës bomba me fosfor të bardhë, deklaroi kreu i administratës ushtarake ukrainase në Luhansk, Sergey Gaidai.

“Rajoni është goditur gjatë natës me raketa dhe bomba me fosfor. 4 viktima e dhjetëra të lënduar raportohen deri tani, ndërsa shumë ndërtesa u shkatërruan”, u shpreh ai.

Një ditë më parë, administrata e Presidentit Biden e akuzoi zyrtarisht Rusinë për kryerjen e krimeve të luftës në Ukrainë dhe tha se do të punonte me vende të tjera për të ndjekur penalisht . Përcaktimi i qeverisë amerikane u bazua në një “shqyrtim të kujdesshëm” të burimeve publike dhe të inteligjencës, që kur Rusia nisi sulmin e saj në Ukrainë muajin e kaluar, u shpreh sekretari shtetit, Antony Blinken.

Përdorimi i armëve kimike, i paralajmëruar prej SHBA-së, nëse vërtetohet, do të përbënte një shkelje të vijave të kuqe për Rusinë. Numri dy i policisë së Kievit, Oleksiy Biloshytskiy, insiston se Moska ka përdorur municione me fosfor në Kramatorsk, në mesin e frikës se i acaruar nga dështimet në terren, Vladimir Putin mund të kalojë tek armët kimike.

Dita e sotme shënoi një muaj nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë. Ne ende po presim për hapa të qenësishëm nga NATO e BE, tha Volodymir Zelensky, i cili bëri gjithashtu thirrje që kjo datë të shënohet me protesta anembanë globit.

Ne po presim për hapa të fortë nga NATO, BE e G7. E dimë se rusët e kanë nisur tashmë lobimin në interes të tyre. Interesi është lufta, por kjo luftë duhet të mbarojë. Qytetarët në të gjithë botën të dalin në rrugë me simbolet ukrainase për të mbështetur Ukrainën, për të mbështetur lirinë, për të mbështetur jetën”, thotë Zelensky.

Bombardimet në qytetin jugor të Mariupolit sakaq kanë vazhduar, ndërsa rreth 100,000 njerëz atje kanë mbetur të bllokuar, pa ushqim, ujë dhe karburante. Qytetet tjera si Kievi, Çernihivi dhe Harkivi janë duke u bombarduar po ashtu. Agjencitë perëndimore të inteligjencës megjithatë thonë se trupat ruse janë të demoralizuara dhe rrezikojnë të rrethohen jashtë Kievit.

Top Channel