Macron paralajmëron krizën ushqimore: Situata do të jetë më e keqe në muajt e ardhshëm

24/03/2022 18:20

Pas takimit me liderët e NATO-s, presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se Rusia po izolohet gjithnjë e më shumë në skenën botërore.

Macron tha se është e rëndësishme që të shmanget përshkallëzimi i konfliktit dhe këtë e konsideron arsyen përse NATO mori vendimin për të mbështetur Ukrainën pa i shpallur luftë Rusisë.

“NATO po rishikon gjithashtu pozicionimin e saj strategjik si rezultat i luftës”, shtoi Macroni.

Ndër të tjera shtoi se fuqitë perëndimore janë gati për të rritur sanksionet ndaj Rusisë nëse do të jetë e nevojshme, por po përpiqen të kërkojnë armëpushim.

“Këto sanksione kanë ndikim dhe janë të prekshme, ne duhet t’i vazhdojmë ato që të kenë efekt bindës për Rusinë”, thotë ai.

Ndër të tjera ka paralajmëruar krizë ushqimore pasi Ukraina dhe Rusia janë dy eksportuesit kryesor, por prodhimi është ndërprerë që prej nisjes së luftës.

Macron tha se disa vende, duke përfshirë disa nga ato në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, janë të varura nga eksportet ukrainase dhe ruse.

“Situata do të jetë më e keqe për një vit apo 18 muaj pasi fermerët ukrainas nuk janë në gjendje të mbjellin”, tha Macron, ndërsa i bëri thirrje vendeve perëndimore dhe organizatave ndërkombëtare që të mobilizohen kundër krizës së ardhshme.

Top Channel