28 ditë luftë/ NATO ‘blindon’ lindjen e Evropës. Biden udhëtim ‘urgjent’ në Evropë. Ukrainast rimarrin një qytet tjetër

23/03/2022 22:44

Luftimet më të ashpra vijojnë në qendër të qytetit strategjik të Mariupolit, në ditën e 28 të luftës në Ukrainë.

Qeveria ukrainase thotë se rreth 100,000 civilë janë bllokuar atje pa ushqim, ujë apo ngrohje. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se me gjithë vështirësitë, 7026 banorë të Mariupolit u shpëtuan të martën. Ushtria e Ukrainës pretendon se trupat ruse janë “të demoralizuara” dhe zyrtarët rusë tani po përpiqen të rekrutojnë ish-ushtarë për t’iu bashkuar përpjekjeve të tyre të luftës. Zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitry Peskov ka refuzuar përjashtimin e përdorimit të  armëve bërthamore. Në një intervistë për CNN, Peskov tha se kjo mund të ndodhë nëse vendi përballet me një kërcënim ekzistencial

22:15 Presidenti Biden mbërrin në Bruksel, pritet të nisë bisedimet me NATO-n

Presidenti i SHBA Joe Biden ka mbërritur në Bruksel, ku do të marrë pjesë në disa samite urgjente për luftën e Rusisë në Ukrainë. Air Force One u ul në aeroportin e Brukselit në orën 21:03 me kohën lokale pas një fluturimi afërsisht shtatë orësh nga Uashingtoni.  Ditën e nesërme, presidenti Biden pritet të nisë bisedimet intensive me NATO-n, G7 dhe Bashkimin Evropian.

20:58 Vritet gazetarja ruse në Kiev, po filmonte shkatërrimet në Podolsk

Një gazetare ruse që raportonte nga kryeqyteti ukrainas Kiev është vrarë këtë të mërkurë. Gazetarja Oksana Baulina po filmonte shkatërrimin pasi trupat ruse bombarduan rrethin Podolsk të Kievit. Baulina u vra së bashku me një civil, ndërsa dy të tjerë u plagosën, sipas Insajderit. Ajo ka punuar më parë për Fondacionin Kundër Korrupsionit të Alexei Navalny dhe iu desh të largohej nga Rusia për shkak të punës së saj me aktivistin e burgosur të opozitës.

20:31 SHBA: Trupat ruse po kryejnë krime lufte, nuk po kursejnë njerëzit

Sekretari i Shtetit Anthony Blinken ka njoftuar qeveria amerikane ka arritur në përfundimin se forcat forcave ruse kanë kryer krime lufte në Ukrainë. “Ne kemi parë raporte të shumta të sulmeve pa dallim që synojnë civilët, si dhe mizori të tjera,” tha ai në një deklaratë këtë të mërkurë. Ai shtoi se forcat ruse kanë shkatërruar infrastrukturën ukrainase, pa kursyer as shkollat apo spitalet.

18:33 Putin pëson tjetër humbje, vritet komandanti i lartë rus nga Ukraina

Një tjetër komandant rus u vra nga forcat ukrainase këtë të mërkurë. The Times shkruan se koloneli Alexei Sharov u vra duke luftuar me ushtarët ukrainas që po i rezistojnë pushtimit rus në qytetin e rrethuar bregdetar të Mariupolit .  Ai ishte komandanti i Urdhrit të Gardës 810 të Brigadës Zhukov, një degë elitë e marinsave ruse e vendosur në Sevastopol. Sharov është koloneli i 5-të që vritet nga forcat ukrainase.

19:26 Ukrainasit rimarrin dhe një qytet tjetër, rusët tentojnë të krijojnë korridor në lindje

Pas Makariv, ukrainasit kanë mundur të rimarrin edhe qytetin e Irpin. Kryebashkiaku i Kievit, tha se pas luftimeve të ashpra, tashmë qyteti ishte sërish në kontrollin e tyre. “Makariv dhe Irpin janë sërish nën kontrollin e Ukrainës. Forcat ruse nuk do ti afrohen kurrë Kievit, ne më mirë do të vdisnim sesa ti dorëzoheshim pushtuesit , jemi gati për të mbrojtur qytetin tonë. Kievi tashmë është i fortifikuar, jemi gati të mbrojmë çdo ndërtesë, cdo rrugë të qytetit tonë. Aktualisht po zhvillohen luftime të mëdha afër Brovary në perëndim të kryeqytetit”, tha ai.

17:29 Putin dëshiron që vendet “jomiqësore” të paguajnë gazin me rubla

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka njoftuar, më 23 mars, se shteti i tij do të kërkojë që vendet “jomiqësore” të paguajnë për eksportet e gazit natyror rus vetëm me rubla, prej tash e tutje. Putin ka thënë, gjatë një takimi me zyrtarë qeveritarë, se “një numër vendesh perëndimore kanë marrë vendime të kundërligjshme për të ashtuquajturën ngrirje të pasurive ruse, duke kufizuar praktikisht besueshmërinë e valutave të tyre, duke minuar besimin për këto valuta”.

17:05 Biden, sanksione të reja mbi Rusinë: Do “çimentojmë” mbrojtjen e Europës Lindore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, takohet me aleatët kryesorë në Bruksel dhe Varshavë këtë javë në vazhdën e përpjekjeve të perëndimit për të mos lejuar që lufta e Rusisë kundër Ukrainës të kalojë në një katastrofë edhe më të madhe. Biden druhet se Rusia mund të përdorë armë kimike ose bërthamore duke qenë se pushtimi i saj nuk po ecën sic e parashikonte Moska dhe  është ndeshur me probleme të mëdha logjistike dhe një rezistence të ashpër ukrainase. Sfidat humanitare po rriten, gjithashtu.

16:56 Probleme në zemër, “zhduket” aleati i Putinit. Ҫfarë ndodhi me ministrin rus!

Krizën e Vladimir Putinit e thellojnë edhe më shumë raportet e fundit se aleati i ngushtë i tij, Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu nuk është shfaqur më në publik prej ditësh, sic thuhet, për shkak të problemeve me zemrën. Në televizione, transmetohen pamje të vjetra të tij, sipas mediave opozitarë ruse. Shoigu ka reaguar për herë të fundit më 18 mars, ku tha se së bashku me Putin kishin diskutuar mbi atë qe e konsiderojnë operacion special në Ukrainë.Ndërkohë, bëri bujë lajmi se vajza e tij 31 vjecare Ksenia, është parë duke pozuar me ngjyrat e flamurit ukrainas, verdh e blu. Në fillimin e ofensivës ruse në vendin fqinj, Shoigu ishte shumë më i pranishëm, por burime nga rrethi i ngushtë i ministrit pohojnë se ai ka probleme shëndetësore.

16:49 Katër grupe të NATO-s do të vendosen në Evropën Lindore

Udhëheqësit e NATO-s kanë rënë dakort për vendosjen e katër grupeve të reja beteje në Evropën Lindore, në Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se NATO do të rrisë ekzistencën e saj, duke dyfishuar numrin ekzistues të grupeve luftarake, por pa u përfshirë në luftë.

15:00 Zelensky para parlamentit japonez: Kujton rrezikun e centraleve bërthamore nga rusët

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky gjatë fjalimit në parlamentin japonez përmendi për rreziqet nga sulmet ruse ndaj centraleve bërthamore me të cilat përballej vendi i tij duke ngritur shqetësime për Çernobilin. Në fillim të këtij muaji, ushtarët rusë hynë në zonën e Çernobilit dhe rrethuan perimetrin e termocentralit bërthamor.

14:00 The Guardian: Serbia, “kali i Trojës i Putinit” në Ballkan

Paqja në Ballkan është sërish e rrezikuar thotë the Guardian, e qeveritë e Bashkimit Europian, sipas të përditshmes së njohur britanike, duhet t’i kundërvihen ekzekutivit serb sa nuk është tepër vonë. Në analizën e bërë në artikull situatës në Europë, Serbia e Aleksandër Vuçiçit përshkruhet si “kali i Trojës së Putinit”.

13:49 Pentagoni: Ukraina po mbrohet me shumë zgjuarsi

Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA, John Kirby u tha gazetarëve në konferencën e fundit se Ukraina ka mbrojtur pjesë të vendit “me shumë zgjuarsi, shumë shkathtësi, shumë kreative”. Kirby tha se forcat ukrainase kishin planifikuar kundërsulme dhe tani “po lëviznin në atë drejtim”.

13:50 Berlini propozon Plan Marshall për Ukrainën: Do ta rindërtojmë ne!

Gjermania po ndan fonde për një “Plan Marshall” për të ndihmuar rindërtimin e Ukrainës pas përfundimit të luftës, njoftoi Ministri gjerman i Financave Christian Lindner gjatë prezantimit të tij të buxhetit kombëtar për vitin 2022. Lindner njoftoi gjithashtu se qeveria do të paraqesë së shpejti një buxhet shtesë për të llogaritur masat e marra si reagim ndaj luftës, duke përfshirë këtu ndihmën ekonomike dhe hapat për të lehtësuar rritjen e çmimeve sidomos për produkte e shërbime bazë. Europa doli e shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore, e në vitin 1947,  ishte në prag të urisë.

13:33 “Trupat ruse po tërhiqen”, Ukraina në kundërsulm Moskës i masakrohet lidershipi ushtarak

Moska e ka humbur “potencialin e saj sulmues” dhe po detyrohet të thërrasë përforcime nga “zonat e thella të Rusisë në mesin e tërheqjes nga betejat kryesore dhe dezertimeve të mëdha, thonë zyrtarë ukrainas. Në përditësimin e fundit të informacionit, ushtria e Ukrainës thotë se forcat e Moskës janë zbrapsur nga Makariv, një periferi e rëndësishme strategjike e Kievit, dhe falë veprimeve heroike të mbrojtësve të tij, mbi këtë qytet tani valëvitet flamuri ukrainas.

12:25 “Janë spiunë”, Polonia dëbon 45 diplomatë rusë/ Moska paralajmëron hakmarrje

Shërbimi polak i inteligjencës i kërkoi Ministrisë së Jashtme në Varshavë që të dëbojë dhjetëra diplomatë rusë, për disa prej të cilëve pretendon se punojnë për shërbimet sekrete të Moskës, por maskohen me aktivitetin diplomatik.

11:45 Deklarata e Peskov për luftën bërthamore, SHBA shton prodhimin e uraniumit!

Në mesin e kërcënimeve nukleare të Rusisë, në Shtetet e Bashkuara po propozohet ripërtëritja e prodhimit vendas të uraniumit. Rusia pasuron më shumë uranium se çdo vend tjetër në botë, thotë Wall Street Journal. Situata e krijuar pas pushtimit të saj në Ukrainë, ka ekspozuar brishtësinë e furnizimit global me karburant nuklear, që kontrollohet nga një numër i vogël njerëzish.

11:28 Dyshohet se po strehohet në Zvicër me fëmijët, miqtë e partneres së Putinit i kërkojnë që ta bindë të ndalojë luftën

Miqtë e partneres së Vladimir Putinit, Alina Kabaeva i kanë kërkuar asaj të shkojë në Moskë për ta bindur presidentin rus që t’i japë fund luftës në Ukrainë. Në fillim të këtij muaji PageSix raportoi se presidenti rus dyshohet se ka fshehur të dashurën e tij dhe fëmijët e tyre në vendin neutral evropian. Kabaeva, fituese e medaljes së artë olimpike, thuhet se ka katër fëmijë, dy djem dhe vajza binjake me 69-vjeçarin, megjithëse të dy nuk e kanë konfirmuan kurrë zyrtarisht.

 

10:52 Kancelari gjerman: Rusia po dështon, ofensiva e Putinit ka ngecur

Forcat ruse po dështojnë në avancimin e pushtimit të Ukrainës pavarësisht bombardimeve të vazhdueshme  të qyteteve dhe qytezave, thotë kancelari gjerman Olaf Scholz. Lufta, thotë Scholz, nuk po shkatërron vetëm Ukrainën, “por edhe të ardhmen e Rusisë”. Duke paralajmëruar Moskën për dënime të mëtejshme, ai thotë: Ne po forcojmë vazhdimisht sanksionet, por [masat] nuk duhet t’i dëmtojnë shtetet evropiane më shumë se udhëheqja ruse.

10:38 Bombardohet blloku i banesave në Rubizhne, vriten dy fëmijë

Tre persona, dy prej të cilëve fëmijë, janë vrarë nga një sulm rus në një bllok banesash në qytetin lindor të Rubizhne, thotë kreu i autoritetit ushtarak në Luhansk.

09:30 Shpallet armëpushim në Luhansk

Guvernatori i rajonit Luhansk në Ukrainën lindore tha se është arritur marrëveshja për një armëpushim lokal për evakuimin e civilëve të bllokuar nga luftimet. Guvernatori Serhiy Gaidai tha në Telegram se armëpushimi do të hyjë në fuqi në orën nëntë të mëngjesit sipas orës lokale.

08:57 Lufta në Ukrainë/ Arrihet marrëveshje për nëntë korridore humanitare

Marrëveshja për të tentuar evakuimin e civilëve të bllokuar në qytetet e Ukrainës përmes nëntë korridoreve humanitare është arritur këtë të mërkurë, tha zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk. Duke sinjalizuar se nuk ishte arritur asnjë marrëveshje me Rusinë për të krijuar një korridor të sigurt nga qendra e Mariupolit, ajo tha se njerëzit që dëshironin të largoheshin nga qyteti port i rrethuar do të gjenin transport në zonën e afërt të Berdyanskit.

08:37 Si i mbijetoi mësuesja 27-vjeçare bombardimit të teatrit të Mariupolit

Të mërkurën e kaluar, një bombë ruse goditi një teatër në qytetin port të Mariupolit. Qindra civilë, kryesisht gra dhe fëmijë, ishin brenda ndërtesës pranë bregdetit, të fshehur. Maria Rodionova, një mësuese 27-vjeçare, kishte 10 ditë që jetonte në teatër pasi kishte ikur nga apartamenti i saj në katin e nëntë me dy qentë e saj.  Atë mëngjes ajo kishte marrë disa mbetje peshku nga një kuzhinë në fushë për të ushqyer qentë e saj, por më pas kuptoi se ata nuk kishin pirë ujë. Kështu rreth orës 10:00, ajo lidhi qentë e saj në bagazhin e saj dhe u nis drejt hyrjes kryesore ku po krijohej një radhë për ujë. Një burrë erdhi nga pas dhe e shtyu me forcë atë në një mur, duke e mbrojtur me trupin e tij.

08:20 “Ferri në tokë!” Mariupoli, qyteti ukrainas i mbushur me trupa të vdekur dhe ndërtesa të shkatërruara

Mariupol ka qenë objektiv i sulmeve të vazhdueshme nga forcat ruse për shkak të pozicionit të tij strategjik përgjatë kufirit jugor të Ukrainës. Qyteti është bombarduar prej javësh tashmë. Një raport i Human Rights Watch i lëshuar të hënën e përshkroi qytetin si “një peizazh ferri i ngrirë i mbushur me trupa të vdekur dhe ndërtesa të shkatërruara”. Udhëheqësi ukrainas Volodymyr Zelensky tha se rreth një e katërta e popullsisë ose 100,000 njerëz  janë ende të bllokuar në “kushte çnjerëzore”.

FOTO GALERI
4/16

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA