Deklarata e Peskov për luftën bërthamore, SHBA shton prodhimin e uraniumit!

23/03/2022 11:43

Në mesin e kërcënimeve nukleare të Rusisë, në Shtetet e Bashkuara po propozohet ripërtëritja e prodhimit vendas të uraniumit.

Rusia pasuron më shumë uranium se çdo vend tjetër në botë, thotë Wall Street Journal. Situata e krijuar pas pushtimit të saj në Ukrainë, ka ekspozuar brishtësinë e furnizimit global me karburant nuklear, që kontrollohet nga një numër i vogël njerëzish.

Ligjvënësi republikan John Barraso nga Wyoming, një nga shtetet kryesore amerikane të prodhimit të uranumit, paraqiti propozimin për të shtuar prodhimin e brendshëm të uraniumit, e për të ndaluar krejtësisht importet ruse. Moska ndërkohë një ditë më parë, u duk sikur bëri një hap prapa lidhur me kërcënimin e saj atomik.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia do të përdorte armë bërthamore vetëm nëse shteti do të përballej me një kërcënim ekzistencial. I pyetur nga CCN nëse presidenti rus, Vladimir Putin, do ta konsideronte mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore, Peskov tha: “Ne kemi një koncept të sigurisë së brendshme dhe ky koncept është publik, ju mund t’i lexoni të gjitha arsyet e përdorimit të armëve bërthamore. Pra, nëse ka një kërcënim ekzistencial për shtetin tonë, atëherë arsenali bërthamor mund të përdoret në përputhje me konceptin tonë”.

Më 28 shkurt, Putin pati njoftuar se ka vendosur në gatishmëri të posaçme fuqinë strategjike bërthamore të Rusisë, dhe vazhdimisht ka lënë të kuptohet se mund ta shtypë butonin e kuq nëse ndihet i kërcënuar nga perëndimi.

Top Channel