“Trupat ruse po tërhiqen”, Ukraina në kundërsulm Moskës i masakrohet lidershipi ushtarak

23/03/2022 13:33

Moska e ka humbur “potencialin e saj sulmues” dhe po detyrohet të thërrasë përforcime nga “zonat e thella të Rusisë në mesin e tërheqjes nga betejat kryesore dhe dezertimeve të mëdha, thonë zyrtarë ukrainas.

Në përditësimin e fundit të informacionit, ushtria e Ukrainës thotë se forcat e Moskës janë zbrapsur nga Makariv, një periferi e rëndësishme strategjike e Kievit, dhe falë veprimeve heroike të mbrojtësve të tij, mbi këtë qytet tani valëvitet flamuri ukrainas.

Rimarrja e Makariv, rreth 60 kilometra në perëndim të Kievit, mund të parandalojë rrethimin e kryeqytetit nga veriperëndimi prej forcave ruse. Një kundërsulm u ndërmor dhe nga forcat ukrainase ne jug që i ka detyruar forcat ruse të tërhiqen në kufij të padëshiruar prej tyre në drejtim të Mykolaivit, një qytet pranë Detit të Zi.

Instituti ukrainas, Qendra për Strategjitë e Mbrojtjes pretendon po kështu se trupat ruse në rajonin Okhtyrka të Sumy-t janë larguar nga zona e operacionit dhe kanë zgjedhur dezertimin pasi nuk duan të vdesin në fushëbetejë. Rusët raportohen të kenë vjedhur dhe makina për të udhëtuar drejt kufirit me Bjellorusinë. Në një tjetër goditje të fortë për të, Putin humbi kolonelin e tij të pestë dhe komandantin e 15-të të lartë që nga pushtimi i Ukrainës, Alexei Sharov .

Rusia, thonë mediet britanike, po vuan masakrën më të madhe të lidershipit të saj ushtarak që nga Lufta e Dytë Botërore. Që prej 2 marsit, Rusia nuk e ka përditësuar më shifrën zyrtare të humbjeve të saj në Ukrainë prej 500 trupash të vrare e 1.600 të plagosurish, edhe pse raporte të ndryshme tregojnë se ato janë më të mëdha nga sa pretendon Moska.

Top Channel