“Janë spiunë”, Polonia dëbon 45 diplomatë rusë/ Moska paralajmëron hakmarrje

23/03/2022 12:25

Shërbimi polak i inteligjencës i kërkoi Ministrisë së Jashtme në Varshavë që të dëbojë dhjetëra diplomatë rusë, për disa prej të cilëve pretendon se punojnë për shërbimet sekrete të Moskës, por maskohen me aktivitetin diplomatik.

Agjencia e Sigurisë së Brendshme (ABW) ka hartuar një listë me 45 persona që punojnë në Poloni gjoja si diplomatë“, u tha gazetarëve një zëdhënës i kësaj agjencie, Stanislaw Zaryn.

“Materialet që kemi arritur të grumbullojnë provojnë qartë se aktivitetet e oficerëve të identifikuar dhe personave që bashkëpunojnë me ta shërbejnë për zbatimin e aktiviteteve të inteligjencës ruse, të cilat synojnë të godasin stabilitetin e Republikës së Polonisë dhe partnerëve të saj në arenën ndërkombëtare si dhe përbëjnë një kërcënim për interesat dhe sigurinë e vendit”, thuhet më tej në një deklaratë të këtij organizmi.

Një zëdhënës i qeverisë tha se ambasadori rus ishte thirrur në Ministrinë e Jashtme dhe se vendimet për hapat e mëtejshëm do të shpallen pas takimit. Reagimi i Moskës ishte i menjëhershëm.  Ministria e Jashtme e Rusisë paralajmëroi se do të hakmerret nëse diplomatët e saj dëbohen nga Polonia, por ende nuk ka sqaruar se çfarë hapash mendon të marrë.

Top Channel