Putin dëshiron që vendet “jomiqësore” të paguajnë gazin me rubla

23/03/2022 17:29

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka njoftuar, më 23 mars, se shteti i tij do të kërkojë që vendet “jomiqësore” të paguajnë për eksportet e gazit natyror rus vetëm me rubla, prej tash e tutje.

Putin ka thënë, gjatë një takimi me zyrtarë qeveritarë, se “një numër vendesh perëndimore kanë marrë vendime të kundërligjshme për të ashtuquajturën ngrirje të pasurive ruse, duke kufizuar praktikisht besueshmërinë e valutave të tyre, duke minuar besimin për këto valuta”.

“Nuk ka kurrfarë kuptimi”, ka shtuar Putin, “që t’i furnizojmë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara me mallrat tona, dhe të paguhemi me dollarë, euro, e një numër valutash tjera”.

Si rezultat i kësaj, ai ka thënë se ka vendosur të marrë “masa” për të ndryshuar pagesat për “gazin tonë natyror, të ofruar për vendet e ashtuquajtura jomiqësore”, me rubla ruse.

Presidenti rus nuk ka thënë se kur saktësisht do të hyjë në fuqi kjo politikë e re. Ai ka udhëzuar bankën qendrore të vendit të tij që të përcaktojë procedurat, sipas të cilave blerësit e gazit natyror do të mund të merrnin rubla në Rusi.

Gazi rus përbën rreth 40 për qind të importeve të gazit natyror të BE-së.

Për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Moskës. Uashingtoni ka ndaluar të gjitha importet e energjisë ruse.

Top Channel