212 qytetarët afganë që qëndruan në vendin tonë për disa muaj janë përcjellë drejt SHBA-së nga ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ministrja e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, dhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim morën pjesë në ceremoninë e përcjelljes drejt SHBA-ve të afganëve, të cilët prej 6 muajsh u strehuan në Shqipëri, pasi i ikën luftës në vendin e tyre.

Sipas ministres Xhaçka, operacioni i mikpritjes së 2 400 qytetarëve afganë e ka forcuar edhe më shumë aleancën dhe miqësinë e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara.

 “Ky është fundi i një operacioni, për të cilin padyshim ne dhamë gjithçka, dhamë zemrën dhe mendjen tonë. Ne ju pamë dhe pritëm si të ftuar, por ju u bëtë edhe miqtë tanë. Sot miqtë tanë po ikin. Shpresoj që ju të keni gjithmonë një kujtim të mirë për këtë vend, për Shqipërinë, për njerëzit e saj dhe që në të ardhmen do të ktheheni të na vizitoni. Ky operacion, evakuimet dhe strehimi juaj, nuk ju ndihmoi vetëm ju, por besoj fort se na ka ndihmuar edhe ne”, u shpreh kryediplomatja shqiptare.

Ambasadorja Kim vlerësoi Shqipërinë për kontributin e saj në strehimin e afganëve të larguar nga lufta.

“Ajo që kam mësuar në dy vitet e mia këtu në Shqipëri është se populli shqiptar e merr shumë seriozisht mundësinë, përgjegjësinë për t’i hapur derën një të huaji në nevojë dhe për t’ju bërë të ndiheni se jeni vërtet një mysafir. Nëse shkoni te një shqiptar në momentin tuaj më të errët, kur keni të ftohtë, kur jeni i uritur, apo jeni të etur, një shqiptar do ta hapë derën gjerësisht dhe do t’ju japë deri thërrimet e fundit të bukës, kokrrat e fundit të kripës dhe gjithçka që mbajnë në zemrën e tyre. Është çështje nderi. Ndaj faleminderit mikpritësve tanë shqiptarë”, nënvizoi ambasadorja amerikane në Tiranë.

Shqipëria ishte një nga vendet e para që i hapi dyert afganëve, duke iu ofruar atyre strehim dhe mbrojtje, teksa ata largoheshin nga tmerri i krijuar në vendin e tyre prej luftës. Që prej 26 gushtit në vendin tonë mbërritën 2 400 shtetas afganë, 600 prej të cilëve deri më tani janë larguar drejt SHBA, Kanadasë e disa vende të Evropës.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA