Numri i nxënësve në shkollat e rrethit të Kukësit çdo vit po vjen duke u reduktuar.
Vetëm këtë vit ka një rënie me rreth 200 nxënës. Ky fenomen ka prekur shkollat e qytetit dhe të njësive administrative. Bashkia e Kukësit, e cila numëron rreth 78 objekte arsimore në territorin e saj, përfshirë edhe njësitë administrative, ka gjithmonë e më pak nxënës, në arsimin 9 vjeçar dhe atë të mesëm. Largësia e shkollave me qendrat e banuara në fshatra të largët, emigracioni, lëvizja drejt qyteteve të mëdha, lindshmëria e ulët, apo kërkesa për arsimim cilësor, janë disa nga shkaqet që kanë çuar në uljen e këtij numri.
Nxënësit pohojnë se në klasat e tyre ka ikje të nxënësve. Ata thonë se shumë prej tyre kanë lëvizur drejt vendeve europiane, por ka dhe nga ata të cilët kanë ikur drejt qyteteve si Tiranë, Durrës etj.
Numri i nxënësve është 7.226, nga të cilët 5.385 i përkasin arsimit 9 vjeçar dhe 1841 atij të mesëm, ndërsa një vit më parë numri ka qenë 7.401. Vihet re që numri ka rënë me 200 nxënës. Pakësimi i nxënësve ka çuar edhe në mbylljen apo bashkimin e disa shkollave, siç janë në fshatrat Gsheshtë njësia Malzi, Domaj-Kolosian njësia Bicaj, si dhe fshati Kollovoz njësia Shishtavec.
Top Channel