Prona e konfiskuar në shërbim të viktimave të dhunës, prezantohet Qendra e Emergjencës në Tiranë Dy dekada aktivitet që kanë transformuar arsimin e lartë shqiptare. Universiteti Europian i Tiranës festoi 20-vjetorin e themelimit të tij në një mbrëmje festive në Pallatin e Brigadave, ku u bashkuan themelues, drejtues, akademikë, studentë, ish-studentë, partnerë dhe personalitete të jetës publike.
I hapur në shtator të vitit 2006 nga ëndrra e gjashtë të rinjve, UET u kthye shpejt në një pol të rëndësishëm të dijes, cilësisë së lartë akademike, kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit.
Ndër vite, ai ka regjistruar mbi 30 mijë studentë, ka pranuar mbi 2500 pedagogë të brendshëm dhe të jashtëm, ka ofruar me dhjetëra programe e profile, dhe ka qenë iniciator dhe nxitës i shumë proceseve që kanë ndryshuar arsimin jopublik në Shqipëri.
“Vendimet strategjike që drejtuesit e UET kanë marrë përgjatë viteve e kanë zgjeruar dhe diversifikuar ofertën akademike në profesione e zanate që kërkohen sot si nga tregu vendas, ashtu edhe ai i huaj. Pyetja kryesore që qëndron përpara nesh tashmë është jo se si të rritemi përmes zgjerimit, por si të krijojmë një vlerë të dallueshme, unike dhe se si të ripërshtatemi në mënyrë dinamike, duke iu përgjigjur kontekstit krejt të ri shoqëror dhe teknologjik”, tha Presidenti i UET, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa.
“Sot UET bashkëpunon me më shumë se 150 universitete në Evropë dhe më gjerë, duke krijuar mundësi për mobilitet, kërkim, diploma të dyfishta dhe diploma të përbashkëta. Këtë vit akademik presim rreth 200 studentë ndërkombëtarë, që tregojnë besimin në cilësinë e programeve tona dhe në standardet akademike të certifikuara dhe nga Agjencia Britanike e Sigurimit të Cilësisë. Ky është UET që duam, një universitet shqiptar me orientim evropian dhe ndërkombëtar, që di t’u përgjigjet zhvillimeve të kohës”, u shpreh Rektorja e UET, Prof. Dr. Drita Kruja.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, si studente e diplomuar në UET, foli për impaktin që pati ky universitet në transformimin e arsimit të lartë privat.
“Në gjithë përvojën time, UET-i më ka ndryshuar rrënjësisht edhe një tjetër perceptim mbi vetë arsimin privat në Shqipëri. Nëse kthehemi 15 apo 20 vite pas në kohë, debati që rrethonte universitetet private ishte krejt ndryshe nga ai i sotmi. Sot ky sektor ka kaluar përmes një procesi të gjatë transformimi, konkurrence, standardizimi dhe pjekurie institucionale”, tha ministrja Erjona Ismaili.
Rektorët ndër vite kujtuan rritjen e UET, i cili nga një ide, u shndërrua në një universitet polivalent, që ndryshoi jetën e shumë të rinjve dhe krijoi breza të tërë profesionistësh.
Në fjalën e tyre përshëndetëse, rektori i parë, Ferit Duka, dhe profesorë/doktorë Tonin Gjuraj e Nevila Nika u shprehën se UET ja ka dalë të vërë në qendër të jetës universitare dijen, kërkimin shkencor dhe debatin akademik e mendimin kritik.
Mes arritjeve akademike dhe kontributit të vazhdueshëm në shoqëri, UET mbyll dy dekadat e para dhe nis dekadën e tretë me vizionin dhe ambicien për t’iu përgjigjur me sukses sfidave të kohës, në një kampus të ri dhe modern.
Top Channel