Pas 10 ditësh i bllokuar në Mariupol, konsulli grek kthehet në Athinë: Po kryhen krime lufte

20/03/2022 16:46

Konsulli grek i Mariupolit, Manolis Androulakis, është rikthyer në Athinë , pas 10 ditësh i bllokuar në zyrat e OSBE në qytetin e pushtuar nga rusët.

Ai ishte diplomati i fundit i huaj që u largua pas shumë peripecish nga ky qytet së bashku me stafin e tij ,nëpërmjet një korridori të hapur për të dhe për 80 persona të tjerë, ndërsa bombardimet vazhdonin. Pak para nisjes për në Athinë, në një intervistë për gazetarin e Top Channel Artur Bibe, në aeroportin e Bukureshtit, ai tha se ajo që po ndodh në Mariupol është një krizë e madhe humanitare.

“Ndjej dëshpërim të thellë, për atë që ndodhi, për atë që ndodh. Është një krizë e madhe humanitare dhe është e trishtë për civilët që ende goditen. Kishte çaste që pata frikë, në kuptimin që kur kupton se disa goditje nuk kanë objektiva të përcaktuara, që nuk kontrollohen dhe sidomos bombardimet nga avionët ,ishin diçka nga e cila kishim frikë. Lavdi Zotit nuk pësuam gjë.”

Konsulli tha se uron që njerëzit që la pas të rindërtojnë sa më shpejt jetën e tyre.

“Heronj janë ata njerëz që kanë mbetur atje dhe do të rindërtojnë jetën e tyre përsëri nga zero. Mua më lini. Unë punën time bëra. Uroj vetëm të jenë mirë. Të jenë të sigurt dhe të kenë përsëri jetën e tyre,kaq kërkoj.”

Konsulli dhe pjesa tjetër e grupit udhëtuan për tre ditë deri në kufirin me Moldavinë. Gjatë izolimit të tij në Mariopol, ai ka qëndruar me dhjetëra të tjerë, homogjenë grekë dhe qytetarë të Mariupolit në një strehim ,nën tokë , në kushte shumë të vështira ,ndërsa rrezikohej edhe jeta e tij. Konsulli tha se mund të pohojë me siguri se në Mariupol janë kryer krime lufte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA