Sipas të dhënave të Fondit të sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor numri i personave që kanë përfituar nga paketat shëndetësore ka ardhur në rritje, duke arritur kulmin me 12.555 persona të përfshirë në këtë skemë përgjatë vitit 2021.

Në krye të listës qëndrojnë ata që kanë përfituar nga dializa. Dializa është një ndër paketat më të përfolura, për shkak të monopolit të krijuar nga Spitali Amerikan, por edhe numrit të lartë të pacientëve që përfshihen në këtë skemë.
VKM-ja e vitit 2017 përcakton se një seancë dialize kushton 12.106 lekë të reja. Referuar të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2021 janë realizuar 243 mijë seanca dialize me një kosto totale prej 2.6 miliardë lekë.
Në paketën e dializës bën pjese edhe kryerja e interventit të vendosjes së fistulës me një kosto prej 10.937 lekë dhe po ashtu edhe kryerja e interventit për vendosjen e grafitit me kosto prej 67.162 lekë.
Sherbimi i dializës dhe fistulave ofrohet edhe në spitalet publike duke bere që rastet e vështira të trajtohen në spitalet shtetërore duke e lehtësuar punën e privatit.
Një raport i detajuar i Kontrollit të lartë të shtetit mbi kostot e paketave shëndetësore, gjeti se përgjatë 2018-ës paketat shëndetësore i kushtuan buxhetit të shtetit 3.2 mld lekë nga të cilat 64.8% shkuan për dializën, e cila rrëmbeu plot 1.8 mld lekë.
Në total spitalet private kryen mbi 60% e të gjithë paketave shëndetësore, për të cilat ata morën nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore rreth 2 miliardë lekë.
Spitalet publike, të cilët duhet të ishin edhe përfituesit kryesorë të kësaj skeme, performuan më dobët duke realizuar 40 % të ndërhyrjeve, dhe u rimbursuan me një fond prej 1.2 mld lekësh.
Dializa ka qenë disa herë në qendër të kritikave për mënyrën se si ky shërbim u dha me koncesion. Një tjetër auditim i KLSH-së në vitin 2018 zbuloi se Ministria e Shëndetësisë vendosi të jepte me koncension për llogari të Kompanisë DIA VITA dializën në Shkodër edhe pse kishte një repart funksional dhe në kapacitet të plotë pune.
Nën hetim për këtë çështje përfundoi ish drejtori, i cili sipas KLSH-së, nuk ka vënë në dijeni autoritetet e linjës se dializa në këtë spital funksiononte më së miri nga viti 2005- e deri në vitin 2016.
Si pasojë e këtij abuzimi, 9 aparatura të dializës, edhe pse ishin në gjendje të mirë pune u lanë të degradohen.
Skandali bëhet edhe më i madh po të marrin në konsideratë faktin se ky repart jo vetëm ishte në punë por aparaturat kishin garanci mirëmbajtje deri në mars 2017, pra edhe për një vit pasi u kyçën në magazinë.
Në fund të vitit 2015, ministria e Shëndetësisë ia dha me koncension shërbimin e dializës kompanisë DIA VITA. Koncensionari u shtri në 5 qytete, Vlorë, Shkodër, Lezhë, Elbasan dhe Korçë dhe vlera e kontratës përllogaritet të jetë 8.6 mld lekë. Që nga ai vit numri i pacientëve që marrin këtë shërbim në spitalin publik ka ardhur në rënie, duke i referuar në systemin privat.

Top Channel