“Protestoj për djalin tim që e humba”, fjalimet në protestë: Personat me aftësi të kufizuara nuk duhet të ndihen të diskriminuar

13/06/2026 20:19

Protesta e 14-të vijon zhvillimet e saj, teksa dhjetëra qytetarë kanë marrë mikrofonin për të mbajtur fjalën e tyre në podiumin e improvizuar para Kryeministrisë. Një nënë foli për djalin që kishte humbur, teksa kërkoi largimin e gjithë atyre që “sundojnë” politikën shqiptare.

Protestoj për djalin tim që më vdiq, sepse ikën dritat në spital. Jam mësuese, jam poete dhe shkruaj, por pena ime prej muajsh noton në lotët për djalin. Dhimbja ime do të shërohet kur të shpëtojë Shqipëria. Shporruni që të shpëtojë ky vend. E gëzofshim Shqipërinë”, u shpreh një protestuese.

Një zotëri i verbër mori gjithashtu fjalën, duke nënvizuar problemet e mëdha dhe mungesën e mbështetjes nga ana e shtetit për personat me aftësi të kufizuara.

“Unë që ju flas jam një person i verbër, u bashkangjitem në këtë protestë madhështore. Ne protestojmë me ju, sepse hallet tuaja, janë edhe tonat. Nuk duhet të ketë diskriminim, personat me aftësi të kufizuar të mos shihen si fatkeq. Fatkeqësia jonë nuk është aftësia e kufizuar, por mënyra sesi shteti është sjellë me ne.

Ne jemi në këtë protestë që të mos na duhet të protestojmë veçmas, sepse ndiejmë se hallet tona janë edhe hallet tuaja. Duam një Shqipëri ndryshe, që nuk i sheh njerëzit me aftësi të kufizuara si njerëz ndryshe”, tha një tjetër protestues.

Top Channel