Një bombardim në orët e para të së dielës, nga ushtria ruse në bazën ushtarake në qytetin e LVIV, i cili është vetëm 80 kilometra larg kufirit me Poloninë, vend anëtar i NATO, ka përshkallëzuar luftën në Ukrainë.
Qendra Ndërkombëtare për Ruajtjen e Paqes dhe Sigurisë në rajonin Javoriv të LVIV, e cila është formuar më 2007 për të trajnuar forcat e armatosura të Ukrainës, sidomos misionet paqeruajtëse u bombardua.
Nga sulmi konfirmohet se kanë humbur jetën 35 persona dhe janë plagosur 134 të tjerë, ndërsa ministria e mbrojtjes ruse shprehet se ka vrarë 180 mercenarë.
Dhjetëra ushtarë të plagosur janë dërguar në një spital pranë Yavoriv, një qytet në Ukrainën Perëndimore 10 km larg kufirit me Poloninë. Pas marrjes së ndihmës së parë, shumë nga të lënduarit janë transportuar me ambulanca në spitale më të mëdha në rajon.
“Kemi frikë, por po rrimë këtu, kemi një fëmijë, nipin, që është vetëm tre javësh dhe po rrimë pa ikur. Jetojmë në katin e tetë dhe është e frikshme. Godina do të bjerë nëse goditet dhe bodrumi nuk është një opsion”, thotë një grua.
Shefi i sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan ka reaguar pas sulmit duke thënë se, nëse edhe aksidentalisht sulmohet një centimetër i territoreve të NATO-s do të aktivizohet artikulli i pesë i mbrojtjes dhe përgjigja do të jetë e menjëhershme.
Bombardimi i Lviv është një pikë kthesë në sulmin rus, për vetë rëndësinë që ka ky qytet, si një qendër kulturore e Ukrainës ndërsa qendra historike e qytetit është një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Po ashtu sulme ka pasur edhe në një aeroport në qytetin fqinj të LVIV, Ivano-Frankivsk, i cili është shkatërruar pothuajse plotësisht nga një sulm ajror rus, tha kryetari i bashkisë së qytetit Ruslan Martsinkiv .
Bombardimet ruse nuk kanë kursyer edhe manastirin në rajonin e Donetsk Oblast të Ukrainës lindore, duke lënë pas dhjetra të plagosur.
Ndërkohë raketat ranë edhe mbi një shkollë në qytetin e Mykolaiv rreth 100 km në lindje të Odessa, ndërsa ekipet e shpëtimit po gërmojnë mes rrënojave.
Ndërkohë një dritë jeshile vjen nga negociatat e paqes. Leoanrd Slutsky, negociator rus është shprehur se janë bërë përparime të rëndësishme në bisedime dhe se është arritur një pozicion i përbashkët me palën ukrainase.
Zhvillimi vjen pasi negociatori dhe këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak tha gjithashtu të dielën se ai mendonte se mund të arrihet përparim në negociatat në ditët në vijim.
Top Channel