Dita 15-të e luftës/ Takimi Lavrov-Kuleba në Antalia pa marrëveshje! Rusia kërcënon Perëndimin

10/03/2022 17:00

Kjo e enjte ka shënuar ditën e 15-të të luftës në Ukrainë. Takimi në Antalia të Turqisë mes ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov dhe atij ukrainas, Dmytro Kuleba përfundoi pa marrëveshje mes dy vendeve.

Rusia ka përshkallëzuar sulmet ndaj civilëve teksa ukrainasit nxitonin të arratiseshin përmes korridoreve të evakuimit. Mbrëmjen e së mërkurës rusët bombarduan një maternitet në Mariupol, ku  raportohet se deri më tani janë plagosur të paktën 17 persona dhe tre kanë vdekur, mes tyre një fëmijë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha ky është një genocid dhe vijoi të bënte thirrjet për të ndaluar fluturimin në qiellin e Ukrainës. Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se Rusia mund të përdorë armë kimike në Ukrainë. Nga ana tjetër, Presidenti amerikan Joe Biden do të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë.

22:03 Scholz i ‘pret hovin’ Ukrainës: Nuk do të ketë procedurë të shpejtë për anëtarësimin në BE

Kancelari gjerman Olaf Scholz para takimit me liderët e BE në Versajë, tha se ai kundërshton një procedurë të shpejtë për anëtarësimin e Ukrainës në Union. Scholz iu referua marrëveshjes së asocimit që BE dhe Ukraina arritën në vitin 2017 që synon thellimin e lidhjeve politike dhe ekonomike. “Është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të ndjekim gjërat që kemi vendosur në të kaluarën. Ky është kursi që duhet të ndjekim,” tha Scholz.

21:23 Çdo ditë në orën 10 të mëngjesit hapen korridoret për civilët. Moska sërish ofertë

Moska thotë se do të hapë cdo ditë korridore humanitare përgjatë gjithë kohës që do të zgjasë konflikti për civilët ukrainas. Ministria ruse e mbrojtjes i ka thënë agjencisë së lajmeve Interfax se do ta bëjë këtë gjë pa miratimin e Kievit. Zyrtarët rus thanë se korridoret do të hapen në orën 10:00 me orën e Moskës çdo ditë.

20:10 Erdogan kërkon paqe mes Ukrainës dhe Rusisë, telefonon Biden

Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan vazhdon përpjekjet e tij për t’u pozicionuar si ndërmjetës midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe Perëndimit. Ai foli në telefon me Presidentin e SHBA Joe Biden, ku diskutuan shqetësimin e përbashkët për pushtimin e pajustifikuar të Rusisë në Ukrainë. Një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, thotë se dy liderët riafirmuan mbështetjen e tyre të fortë për qeverinë dhe popullin e Ukrainës dhe nënvizuan nevojën për një ndërprerje të menjëhershme të agresionit rus.

19:37 Presidenti kinez “i shqetësuar” nga pushtimi rus në Ukrainë

Presidenti kinez Xi Jinping është i shqetësuar nga pushtimi i pjesshëm i Ukrainës nga Rusia, tha drejtori i CIA-s Bill Burns para Komitetit të Inteligjencës të Senatit të SHBA, sipas CNN. Udhëheqja kineze është e shqetësuar gjithashtu për shkak të “dëmtimit të reputacionit që Kina pëson agresioni i Rusisë në Ukrainë” dhe “pasojat ekonomike në një kohë kur ritmet e rritjes në Kinë janë më të ulëta se sa kanë qenë në 30 vjet”, sipas Burns.

18:50 ‘Putin kumar me Ukrainën’, Analistët: Masterplani i Rusisë nuk po ecën

Dy javë pasi presidenti rus Vladimir Putin filloi pushtimin e tij në Ukrainë, “goditjet e sakta” të Rusisë nuk duken më të tilla pasi forcat e saj tokësore po luftojnë ende, thotë CNN në një analizë të situatës. Kur nuk kishte nisur ende pushtimi, disa zyrtarë amerikanë parashikuan se Kievi do të binte brenda 48 ose 72 orëve por flamuri i Ukrainës ende valëvitet.

18:48 Franca thotë se pret të vijnë deri në 100,000 refugjatë ukrainas

Franca tha sot se parashikon që deri në 100,000 refugjatë ukrainas të mbërrijnë aty dhe premtoi se do të japë akomodim “për të gjithë ata që largohen nga lufta me Rusinë”. “Në javët në vijim 50,000 deri në 100,000 mund të mbërrijnë”, tha Joseph Zimet, koordinator i njësisë ndërministrore të qeverisë franceze per krizën.

18:43 ‘Lufta ripërcakton arkitekturën e Evropës’, Liderët e BE mblidhen në Versajë

Udhëheqësit e BE-së janë mbledhur në Pallatin e Versajës në Francë, për të diskutuar pushtimin rus të Ukrainës dhe planet për të forcuar pavarësinë energjetike të bllokut dhe aftësitë mbrojtëse. Takimi dyditor fillon të enjten në mbrëmje dhe organizohet nga presidenti francez Emmanuel Macron, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së. Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tregoi se çfarë do të diskutohet mes tyre.

18:37 “1207 trupa të pajetë në rrugët e Mariupol”, kryebashkiaku: Mund të jenë dhe më shumë

Kryebashkiaku i qytetit ukrainas Mariupol i tha BBC se ai ende nuk e di ekzaktësisht se sa viktima ka në qytet nga lufta, por deri më tani 1207 viktima janë të konfirmuar. Janë trupa të cilat i kemi gjetur në rrugë, tha Serhiy Orlov. Ai tha se 47 njerëz u varrosën në një varr masiv, pasi nuk ishte e mundur të dilje tek varrezat jashtë qytetit, ndërsa shtoi se asnjë nga viktimat nuk është identifikuar.

17:49 Zv. presidentja Harris nis të qeshë pas pyetjes për pranimin e refugjatëve ukrainas

Zëvendës-presidentja amerikane Kamala Harris është kritikuar dje pasi nisi të qeshë gjatë konferencës së shtypit në Poloni kur dikush e pyeti nëse SHBA do të pranojë refugjatë nga lufta në Ukrainë. Momenti i sikletshëm ndodhi në Varshavë gjatë konferencës së shtypit me presidentin polak Andrzej Duda.

16:57 Tjetër goditje për sportin rus dhe bjellorus, boksierët nga këto vende nuk duelojnë dot në Britani

Sekretari i Përgjithshëm i Bordit të Kontrollit të Boksit Britanik (BBBofC), Robert Smith, dha një deklaratë që i jep një tjetër goditje sportive Rusisë dhe Bjellorusisë, për ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë. Nuk ka dyshim se Mbretëria e Bashkuar është një nga vendet që po tregon masat më të ashpra ndaj Vladimir Putinit. Boksi ishte përgjigjur javët e fundit duke pezulluar duelet në titull në territorin rus, por, pas kësaj nisme të BBBofC, organizatat dhe federatat nga vendet e tjera mund të ndjekin të njëjtën rrugë.

16:28 Si është situata në qytetin Lviv, ofrohet ushqim falas për familjet ukrainase

Kjo e enjte ka shënuar ditën e 15-të të luftës në Ukrainë. Takimi në Antalia të Turqisë mes ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov dhe atij ukrainas, Dmytro Kuleba përfundoi pa marrëveshje mes dy vendeve. Ndërkohë në Ukrainë vijon të jetë situatë plot tension dhe frikë. Në pamjet e siguruara nga Top Channel në qytetin Lviv, duket se si janë ngritur çadra nga organizatat për t’i ofruar ushqime të ngrohta familjeve ukrainase që largohen nga vendi apo atyre që zgjedhin të qëndrojnë aty.

15:29 Ish-kancelari gjerman viziton sot Moskën për luftën në Ukrainë

Ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder do vizitojë këtë të enjte Moskën për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin në lidhje me luftën në Ukrainë. Mësohet se Schröder po tenton të ndërmjetësojë me Putinin një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ish-kancelari gjerman është në bordin e drejtorëve të shumë kompanive ruse të energjisë si Gazprom, Rosneft, Nord Stream. Më herët, kujtojmë se kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz i bëri thirrje Schroder që të japë dorëheqjen nga posti i drejtuesit të bordit të kompanisë shtetërore ruse “Rosneft”.

14:56 Dëmet nga pushtimi rus, Zelensky: Do të rindërtojmë Ukrainën

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky u ka kërkuar partnerëve të Ukrainës në mbarë botën që të ofrojnë zgjidhje të bazuara në realitet jo në opinione abstrakte. Ndërsa ka mbajtur një fjalim, ai ka bërë me dije se liderët po mblidhen për të diskutuar luftën dhe anëtarësimin e Ukrainës në NATO – dhe thekson se ai e di se cilët nga ata liderë po mbështesin Ukrainën. Për luftën, ai thotë se burrat dhe gratë ukrainase po mbrojnë shtetin e tyre për të pesëmbëdhjetën ditë dhe kanë zmbrapsur sulmet në zona kyçe.

14:16 Zëvendës-presidentja amerikane vizitë në Varshavë: Do të bëjmë gjithçka për Ukrainën

Zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris ka vizituar sot Poloninë, ku ka zhvilluar edhe një takim me kryeministrin polak Mateusz Morawiecki dhe presidentin polak Andrzej Duda. Takimi kishte për qëllim të tregonte përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë e rajonit. Harris tha se SHBA-të janë të përgatitura të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s.

13:36 Wesley Clark: Putin do të përfundojë si Milloshevici, NATO-ja në luftë po iu prekën kufijtë

Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s, gjenerali amerikan Wesley Clark, njeriu që drejtoi fushatën e bombardimeve të aleancës kundër forcave serbe në vitin 1999 gjatë luftës së Kosovës, thotë se vendet e saj e NATO-s sot duhet të bëjnë gjithçka që munden për të mbështetur forcat ukrainase në fushën e betejës. Megjithatë, sa i takon mundësisë së zonës së ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, aty ndan mendimin se aleanca duhet të mbetet brenda kufijve të saj. Clark sheh një tjetër mënyrë ndëshkimi për Vladimir Putinin.

13:35 Gjendja aktuale e luftës Ukrainë-Rusi, Gjermania dhe Franca thirrje Putin-it

Udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës i kanë bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë. Sipas një leximi të Pallatit Elysée, kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe Putin kanë zhvilluar një telefonate trepalëshe ditën e sotme. Gjithashtu, Scholz dhe Macron ngulën këmbë se çdo zgjidhje për krizën duhet të negociohet midis Rusisë dhe Ukrainës. Elysée bën me dije se të tre udhëheqësit kanë premtuar se do të mbeten në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin gjatë ditëve të ardhshme.

11:35 Lavrov: Putini nuk ka refuzuar asnjë takim me Zelenskyn! Ukrainasit i morën propozimet, presim përgjigjen e tyre

Ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov tha se Putin nuk ka refuzuar asnjë takim me Zelenskyn. Ai theksoi se propozimet e Rusisë janë marrë nga pala ukrainase, ndërsa tashmë presin përgjigjen e tyre.

11:30 Ministri i Jashtëm rus krahason sërish Kosovën me Ukrainën, Lavrov përmend shqiptarët

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov krahasoi sërish Kosovën me Ukrainën këtë të enjte, pas takimit me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba.

11:01 Takimi me Lavrov, ministri i Jashtëm ukrainas: S’ka marrëveshje për armëpushim dhe hapjen e korridoreve humanitare

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tha se nuk ka asnjë marrëveshje me Rusinë, pas takimit me homologun rus, Sergey Lavrov. Ai u shpreh se nuk ka marrëveshje për armëpushim dhe hapjen e korridoreve humanitare.

10:42 Britania e Madhe vendos sanksione ndaj shtatë biznesmenëve rusë

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj shtatë oligarkëve rusë, në kuadër të një mase të marrë kundër Rusisë, në luftën me Ukrainën. “Nuk mund të ketë strehë të sigurt për ata që kanë mbështetur sulmin e egër të Putinit në Ukrainë ”, tha kryeministri britanik, Boris Johnson. Disa prej tyre janë: Roman Abramovich, Igor Sechin, Oleg Deripaska dhe Dmitri Lebedev.

10:26 Deklarata e fortë e Rusisë: Nuk do të marrë më pjesë në Këshillin e Evropës

Ministria e Jashtme e Rusisë tha se nuk do të marrin më pjesë në Këshillin e Evropës, organizatën kryesore të të drejtave të njeriut në kontinent.  Siç shkruan edhe “The Guardian”, Kremlini tha se anëtarët e NATO-s po minonin trupin evropian të krijuar për të mbështetur të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë.  Një ditë pas nisjes së sulmit rus në Ukrainë, më 24 shkurt, Këshilli Europian pezulloi të drejtat e përfaqësimit të Rusisë.

09:50 Shpërthimi në maternitetin e Mariupol, konfirmohen 3 të vdekur

Tre persona kanë vdekur pasi u plagosën nga një sulm rus me bombë në një maternitet në Ukrainën jugore. Lajmi është dhënë nga Këshilli i qytetit të Mariupolit pak para mesditës së të enjtes. Ende nuk ka një shifër përfundimtare të viktimave dhe të plagosurve, por raportet paraprake thanë se të paktën 17 persona u plagosën nga bombardimet.

09:17 Ukrainë, sot janë planifikuar tre evakuime të tjera në rajonin Sumy
Kreu i administratës rajonale Dmytro Zhyvytsky tha se tre korridore evakuimi janë planifikuar të hapen në rajonin verilindor të Ukrainës Sumy të enjten.

Në kanalin e tij zyrtar Telegram, ai shtoi se rrugët e propozuara të evakuimit u vendosën për të filluar në orën 9 të mëngjesit me orën lokale (02:00 ET), me civilë që shkojnë në Poltava, rreth 160 kilometra larg Ukrainës qendrore.

08:53 Ministri i jashtëm turk: Qëllimi ynë të bashkojmë Zelenskyn dhe Putin
Kështu është shprehur ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu, duke shpjeguar se “objektivi ynë kryesor është të bashkojmë tre liderët”, duke iu referuar edhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

08:44 Bombardohet shtëpia në Kharkiv, 4 të vdekur, mes tyre 2 fëmijë
Forcat ruse sulmuan një shtëpi banimi pranë qytetit të Kharkiv, duke vrarë katër persona, përfshirë dy fëmijë. Shërbimet Shtetërore të Emergjencave të Ukrainës (SES) njoftuan se forcat ruse sulmuan një shtëpi banimi pranë qytetit të Kharkiv, duke vrarë katër persona, duke përfshirë dy fëmijë.

8:30 Rusët i vranë gruan dhe dy fëmijët/ Pamjet tragjike, burri mban në duar foto e tyre

Një burrë ukrainas mësoi në mënyrën më të keqe të mundshme vdekjen e tre familjarëve të tij, gruas dhe dy fëmijëve. Ata u vranë nga një predhë ruse duke parë një postim që tregonte trupat e tyre të pajetë në Twitter. Tetiana Perebyinis dhe dy fëmijët e tyre, Mykyta, 18 dhe Alisa, 9 vjeç, vdiqën në qytetin e Irpin teksa po arratiseshin.  Në vitin 2014, ata u larguan nga Ukraina lindore për t’u vendosur në Kiev pas luftimeve mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia.

Top Channel