’Putin kumar me Ukrainën’, Analistët: Masterplani i Rusisë nuk po ecën

10/03/2022 18:50

Dy javë pasi presidenti rus Vladimir Putin filloi pushtimin e tij në Ukrainë, “goditjet e sakta” të Rusisë nuk duken më të tilla pasi forcat e saj tokësore po luftojnë ende, thotë CNN në një analizë të situatës.

Kur nuk kishte nisur ende pushtimi, disa zyrtarë amerikanë parashikuan se Kievi do të binte brenda 48 ose 72 orëve por flamuri i Ukrainës ende valëvitet.

Nëse, Ukraina nuk do të ishte një vend i vërtetë, siç tha Putin në fillim, ajo me siguri do të kishte rënë deri tani. Por edhe me 150,000 trupa ruse brenda kufijve të saj, sipas vlerësimeve të SHBA-së, ata kontrollojnë më së shumti rreth 10% të Ukrainës.

Postblloqe të panumërta janë shfaqur rreth Kievit. Forcat ukrainase — për habinë e shumë, kanë qenë të shkathëta dhe efektive kundër armaturës ruse.

Njësi të vogla që njohin mirë territorin kanë ndërprerë rrugën e autokolonave ruse. Armët antitank të marra kryesisht nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe dhe dronët sulmues turk kanë rezultuar mjaft efektiv ndaj rusëve. E megjithatë nuk mundën të thuhet se ukrainasit kanë avantazhin. Përpjekjet ruse për të kapur urat në veri dhe jug të Kievit në ditët e para të pushtimit dështuan.

Edhe në jug të vendit, ku njësitë ruse kanë hasur më pak rezistencë, ata ende nuk kanë marrë portin e Mariupolit . Analistët thonë se Putin mund të ketë llogaritur gabim përgjigjen e mundshme ndaj përpjekjes së tij për të pushtuar një vend që, në rishkrimin e tij të errët të historisë, nuk kishte të drejtë të ekzistonte.

Ai ka luajtur kumar, duket se nuk ka arritur të kujtojë ngjarjet që vunë në lëvizje fundin e perandorisë ruse”, thonë Liana Fix dhe Michael Kimmage në Foreign Affairs.

Cari i fundit rus, Nikolla II, humbi një luftë kundër Japonisë në 1905. Ai më vonë ra viktimë e Revolucionit Bolshevik, duke humbur jo vetëm kurorën, por edhe jetën e tij. Mësimi: sundimtarët autokratë nuk mund të humbasin luftërat dhe të mbeten autokratë“, shkruajnë ata.

Kremlini ka marrë gjithashtu një goditje në opinionit publik – jo se kjo e ka shqetësuar ndonjëherë Putinin. Ndërsa Zelensky, aktori komik i kthyer në President, e ka përballuar sfidën denjësisht.

Ndërsa spekulimet u përhapën rreth mënyrës sesi Zelensky mund të evakuohej nga Ukraina, ai tha se kishte nevojë për municion – jo një udhëtim, duke shtuar se ukrainasit do të luftojnë deri në fund.

Top Channel