Erdogan kërkon paqe mes Ukrainës dhe Rusisë, telefonon Biden

10/03/2022 20:10

Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan vazhdon përpjekjet e tij për t’u pozicionuar si ndërmjetës midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe Perëndimit.

Ai foli në telefon me Presidentin e SHBA Joe Biden, ku diskutuan shqetësimin e përbashkët për pushtimin e pajustifikuar të Rusisë në Ukrainë.

Një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, thotë se dy liderët riafirmuan mbështetjen e tyre të fortë për qeverinë dhe popullin e Ukrainës dhe nënvizuan nevojën për një ndërprerje të menjëhershme të agresionit rus.

Presidenti Biden shprehu vlerësimin për përpjekjet e Turqisë për të mbështetur një zgjidhje diplomatike të konfliktit, si dhe për angazhimet e fundit të Turqisë me liderët rajonalë që ndihmojnë në promovimin e paqes dhe stabilitetit, thuhet në deklaratë.

Më herët gjatë ditës në Antalia të Turqisë u zhvillua një takim midis ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov dhe atij ukrainas Dimitry Kuleba, por që përfundoi pa marrëveshje.

Rusia ka përshkallëzuar sulmet ndaj civilëve teksa ukrainasit nxitonin të arratiseshin përmes korridoreve të evakuimit. Mbrëmjen e së mërkurës rusët bombarduan një maternitet në Mariupol, ku raportohet se deri më tani janë plagosur të paktën 17 persona dhe tre kanë vdekur.

Top Channel