’Lufta ripërcakton arkitekturën e Evropës’, Liderët e BE mblidhen në Versajë

10/03/2022 18:43

Udhëheqësit e BE-së janë mbledhur në Pallatin e Versajës në Francë, për të diskutuar pushtimin rus të Ukrainës dhe planet për të forcuar pavarësinë energjetike të bllokut dhe aftësitë mbrojtëse.

Takimi dyditor fillon të enjten në mbrëmje dhe organizohet nga presidenti francez Emmanuel Macron, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së.

Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tregoi se çfarë do të diskutohet mes tyre:

“Në këtë samit do të diskutojmë mbrojtjen evropiane që të ketë kapacitete më të forta, do të diskutojmë energjinë.Duhet të eleminojmë varësinë nga lëndët djegëse ruse dhe për këtë kemi nevojë për investime masive në burimet e rinovueshme. Ky është gjithashtu një investim strategjik në sigurinë dhe pavarësinë tonë. Ne do të diskutojmë gjithashtu edhe për Ukrainën si pjesë e familjes sonë evropiane. Ne duam një Ukrainë të lirë dhe demokratike me të cilën kemi një fat të përbashkët”.

Ndërsa presidenti francez tha se BE-ja duhet të diskutojë se si Evropa e rimendon veten gjeografikisht, për shkak të luftës në Ukrainë.

“Lufta ripërcakton plotësisht arkitekturën e Evropës sonë. BE-ja duhet t’i dërgojë një sinjal të fortë Ukrainës dhe popullit ukrainas në këtë kohë të vështirë për ta”.

Macron shtoi se do të diskutohet edhe çështja e anëtarësimit të Ukrainës në BE, si dhe ajo e Moldavisë dhe Gjeorgjisë pasi të tre vendet kanë bërë tashmë zyrtarisht një kërkesë për t’u bashkuar me bllokun.

Mbledhja e Versajës pason një seri ngjarjesh transformuese për BE-në. Për herë të parë në historinë e tij, blloku do të financojë blerjen e armëve vdekjeprurëse për vendet që janë nën sulm, me një paketë fillestare prej 500 milionë eurosh për Ukrainën.

Top Channel