Lavrov: Putini nuk ka refuzuar asnjë takim me Zelenskyn! Ukrainasit i morën propozimet, presim përgjigjen e tyre

10/03/2022 11:35

Ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov tha se presidenti rus, Vladimir Putin nuk ka refuzuar asnjë takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyn.

Ai theksoi se propozimet e Rusisë janë marrë nga pala ukrainase, ndërsa tashmë presin përgjigjen e tyre.

“Ata kërkonin të krijohej diçka si grupi i kontaktit, të sillnim Francën, Putin nuk ka refuzuar asnjë takim me Zelenskyn. Propozimet tona janë marrë nga pala ukrainase, ne presim përgjigjen e tyre”, tha Lavrov.

Lavrov gjithashtu tha se informacionet se ka persona që po mbahen peng në Krime janë të pavërteta.

“Nuk ka rrëmbime të ndonjë anëtari të autoriteteve lokale nga Krimea. Dëgjova edhe dje që kreu i bashkisë së Kievit është rrëmbyer, apo anëtar i ekipit të ukrainas është vrarë. Ju kund të përdorni edhe emra konkretë, por unë do të bëj hetime. Pentagoni ka krijuar laboratorë të armëve biologjike në Ukrainë, në shkelje të konventës për ndalimin e armëve toksike dhe biologjike”, tha Lavrov.

Sipas tij, Ukraina është e Rusisë dhe operacioni i çmilitarizimit po ndodh për një vend miqësor që nuk përbën kërcënim.

“Ukraina është e jona dhe do të vendosim se çfarë do të jetë. Putin e ka përshkruar qartë se përse kërkoi një operacion ushtarak. Ne duam një Ukrainë miqësore të çmilitarizuar, që nuk përbën kërcënime, që nuk është një vend nazist, kjo reflektohet tek të gjitha apelet tona, aleatët perëndimorë, pati përjashtim të gjuhës ruse, kishave ortodokse ruse”, tha Lavrov.

Në lidhje me deklaratën e Kulebës,i cili tha se nuk pati asnjë dakordësim me Rusinë, ai tha se nuk është i surprizuar dhe se nëse veprohet në këtë mënyrë qëllimet për të arritur në një pikë të përbashkët  kanë dështuar.

“Nuk jam i surprizuar që Kuleba tha nuk ka asnjë dakordësim, në fakt  takimi nuk ishte për armëpushim. Nëse do t’u thotë gazetarëve kështu, qëllimet tona kanë dështuar atëherë. Kujtojmë se Ukraina vidhte gazin tonë, ndërkohë që Evropa na akuzoi se përdorin gazin, ne do vijojmë të kemi tregje”, tha Lavrov.

Kjo e enjte ka shënuar ditën e 15-të të luftës në Ukrainë. Takimi në Antalia të Turqisë mes ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov dhe atij ukrainas, Dmytro Kuleba përfundoi pa marrëveshje mes dy vendeve.

Rusia ka përshkallëzuar sulmet ndaj civilëve teksa ukrainasit nxitonin të arratiseshin përmes korridoreve të evakuimit. Mbrëmjen e së mërkurës rusët bombarduan një maternitet në Mariupol, ku  raportohet se deri më tani janë plagosur të paktën 17 persona dhe tre kanë vdekur, mes tyre një fëmijë.

Top Channel