Rusia, bombardime “shfarosëse”mbi Ukrainen: Visa e Mastercard ikin nga tregu rus

06/03/2022 12:13

Konflikti Rus-Ukraina ka hyrë në ditën e 11-të, pa shenja qetësimi, Moska po përgatit sulmin mbi Odessa ndërsa armëpushimi i njoftuar një ditë më parë për hapjen e korridoreve humanitare, dështoi, duke shkaktuar kaos në Mariupol ku njerëzit u detyruan të kthehen mbrapsht.

Me bombardimet pa pushim, ruset po përpiqen të ulin moralin e trupave dhe të popullatës ukrainase. Nën breshërinë intensive të raketave ruse gjenden disa qytete, përfshirën Kievin e Kharkivin.

Në orën 7 të mëngjesit të sotëm, forcat ruse iu afruan centralit hidro-elektrik të Kanivit, rreth 150 km në jug të Kievit në lumen Dnipro. Sipas raporteve në media, përpjekjet e tyre janë për të vënë digën nën kontroll. Alarmin e jep shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura ukrainase, sipas të cilit, njësitë ruse tani po tentojnë me cdo mënyrë hyrjen në periferinë jug-perëndimore të kryeqytetit. Tre orë përpara kësaj, forcat e Moskës hynë në një pauzë të shkurtër operative për riorganizimin e operacioneve në Kiev, Kharkiv e Odessa. Një goditje e madhe atje, sipas think tankut amerikan  Institute for the Study for war  pritet brenda 24 – 48 orësh.

Garda Kombëtare e Ukrainës njoftoi se 100.000 civilë janë regjistruar për mbrojtjen territorial që nga fillimi i pushtimit. Qëndresa e fortë e ukrainasve  ka demoralizuar trupat ruse, thotë BBC. Në raportin e saj më të fundit, ministria ukrainase e mbrojtjes tregon se forcat ruse kanë humbur 88 avionë dhe helikopterë që nga fillimi i konfliktit. Disa pilotë rusë janë kapur rob, e po kështu një numër i konsiderueshëm pajisjesh ruse janë sekuestruar në rajonin Mykolaiv, teksa trupat vendase po mobilizohen për mbrojtjen e Mariupolit.

Rusia sakaq mori dhe një tjetër goditje ne tregjet e saj: gjigantët amerikanë të pagesave Visa dhe Mastercard njoftuan se kanë pezulluar punën atje për shkak të pushtimit të Ukrainës. Visa tha në një deklaratë se do të ndërpresë transaksionet “gjatë ditëve në vijim” dhe si rrjedhojë kartelat e lëshuara në Rusi nuk do të funksionojnë jashtë vendit, si dhe kartat e huaja të lëshuara në Rusi.

“Na vjen keq për ndikimin që kjo do të ketë te kolegët tanë të çmuar dhe te klientët, partnerët, tregtarët dhe mbajtësit e kartave që u shërbejmë në Rusi.

Kjo luftë dhe kërcënimi i vazhdueshëm ndaj paqes dhe stabilitetit kërkon që ne të përgjigjemi në përputhje me vlerat tona”, tha Alfred Kelly, kryetar dhe shef ekzekutiv i kompanisë së pagesave dixhitale me bazë në SHBA. Po ashtu edhe Mastercard lëshoi një njoftim të ngjashëm, duke deklaruar se kartat e lëshuara nga bankat ruse nuk do të mbështeten më nga rrjeti i saj.

Kompania me bazë në SHBA shtoi se çdo kartelë Mastercard e lëshuar jashtë vendit nuk do të funksionoje në Rusi.

 

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA