Një nga gjërat e papritura të kësaj lufte në Ukrainë është ndryshimi radikal i qasjes së Gjermanisë. Deri pak ditë më parë ishte një nga vendet më ngurruese për t’iu bashkuar qëndrimeve të ashpra ndaj Rusisë, nga e cilat varet shumë për furnizimin e saj me gaz, por mbi të gjitha ajo fillimisht kishte kundërshtuar vendosjen e sanksioneve të rënda dhe kishte refuzuar të dërgonte armë në Ukrainë.

Megjithatë, gjatë javës së kaluar, qeveria gjermane duket se ka ndryshuar mendje për gjithçka; ajo i është bashkuar sanksioneve shumë të ashpra të vendosura nga vendet e tjera evropiane, si dhe ka vendosur të dërgojë armë në Ukrainë, duke iu bërë thirrje edhe vendeve të tjera që t’i bashkohen një nisme të tillë.

Këto nuk janë çështje të izoluara, pasi në pak ditë Gjermania duket se ka ndryshuar ose shqyrtuar parimet kryesore që kanë udhëhequr politikën e saj të jashtme në tridhjetë vitet e fundit. “Kthesa e Gjermanisë në politikën e jashtme”, siç e quajti Nju Jork Times, u pa në disa vendime të marra nga qeveria gjermane që nga e hëna e kaluar, kur presidenti rus Vladimir Putin inicioi pushtimin e Ukrainës.

Së pari, Gjermania vendosi të mos autorizojë gazsjellësin Nord Stream 2, i ndërtuar vitet e fundit për të sjellë gazin rus në Gjermani dhe në pjesën tjetër të Evropës. Vitet e fundit, ndërtimi i tubacionit kishte qenë në qendër të mosmarrëveshjeve të ndryshme, por Gjermania e kishte mbrojtur dhe mbështetur me bindje. Me fillimin e krizës në kufirin ukrainas, qeveria e re gjermane kishte mbajtur qëndrime më të kujdesshme. Por vendimi i prerë për të mos autorizuar përdorimin e tij, erdhi vetëm pas njohjes nga Rusia të territoreve separatiste të Donbass-it, në Ukrainën lindore. Por më pas nuk vonoi shumë dhe erdhi urdhri i Putinit për të filluar pushtimin e Ukrainës.

Gjithashtu, Gjermania iu bashkua vendimit të vendeve të tjera evropiane për të përjashtuar disa banka ruse nga sistemi SWIFT. Ky përjashtim, i cili konsiderohet si një nga sanksionet më të ashpra të vendosura deri më tani pas pushtimit, ishte folur shumë në ditët e mëparshme, edhe për shkak të kundërshtimit fillestar të Gjermanisë për ta zbatuar atë.

Më pas, Gjermania mori një nga vendimet më befasuese dhe historike, duke njoftuar dërgimin e 1000 armëve antitank dhe 500 raketave tokë-ajër në Ukrainë, por edhe autorizoi dërgimin e armëve gjermane në Ukrainë nga vendet e tjera. Mirëpo, deri një muaj më parë, Gjermania e kishte kundërshtuar me vendosmëri dërgimin e armëve në zonat e konfliktit apo që janë në prag të tij.

Po ashtu, ditën e diel, qeveria gjermane njoftoi një investim të madh, me vlerë rreth 100 miliardë euro për pajisje ushtarake, duke rritur shpenzimet e saj për mbrojtjen më shumë se 2% të PBB-së. Kancelari Olaf Scholz e njoftoi rritjen e buxhetit për mbrojtjen gjatë një sesioni special në parlamentin gjerman, duke deklaruar se “më 24 shkurt 2022, ishte një pikë kthese e historisë së kontinentit evropian”.

Kjo deklaratë, sipas politologes Daniela Schwarzer, nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur, Gjermania u ripozicionua strategjikisht, pasi që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore kishte mbajtur gjithmonë një pozicion të fortë anti-militarist. Për vite të tëra, Gjermania ishte një nga fuqitë e pakta ekonomike në botë pa një ushtri të fortë dhe historikisht ka hezituar të marrë pjesë në misionet ushtarake jashtë vendit. Kjo politikë tradicionale, e cila ka zgjatur për një kohë shumë të gjatë, duket se ka ndryshuar brenda pak ditësh.

Së fundi, Gjermania e ka bërë të qartë se dëshiron të jetë më pak e varur nga gazi rus, i cili përbën më shumë se gjysmën e gjithë sasisë që përdoret në vend dhe që konsiderohet si një nga arsyet kryesore e hezitimit gjerman ndaj Rusisë. Scholz deklaroi këtë javë se vendi do të ndërmarrë veprime për të ndërtuar dy terminale për marrjen dhe menaxhimin e gazit natyror të lëngshëm. Po ashtu, qeveria gjermane është treguar më e hapur ndaj përdorimit të energjisë bërthamore, të cilën Gjermania, pas katastrofës së Fukushimës, kishte vendosur të mos e përdorë një teknologji të tillë.

Në fakt, vendimet e marra nga Gjermania në javën e fundit kanë të bëjnë më shumë me fusha dhe çështje për të cilat kujdesi ndaj tyre nuk kufizohet vetëm me krizat ekonomike, por është një rezultat i një orientimi politik afatgjatë, i ashtuquajtur Ostpolitik. Pra, politika e jashtme gjermane e tridhjetë viteve të fundit, bazohet në hapjen e qeverisë federale gjermane ndaj vendeve të Evropës Lindore. Ajo u konceptua fillimisht nga Willy Brandt, kancelar i Gjermanisë nga viti 1969 deri në 1974.  Siç shihet, kjo është një linjë e politikës së jashtme gjermane që duket se është pezulluar tani dhe, pika e kthesës, ishte pikërisht lufta në Ukrainë.

Top Channel