Fermerët në protestë: Çmimet e inputeve u rritën, por çmimi i shitjes së mishit dhe qumështit nuk ndryshoi

21/02/2022 17:44

Fermerët e Përmetit dhe Këlcyrës kanë protestuar sot për atë që e quajtën krizën më serioze të viteve të fundit brenda sektorit.

Ata folën për rritjen me 30% të çmimit të inputeve bujqësore që prej vitit të kaluar dhe për 2-3 fishimin e këtyre çmimeve përgjatë 5-vjeçarit të fundit. Kjo rritje, sipas fermerëve, nuk është reflektuar në çmimet e mishit dhe të qumështit.

Fermerët janë mbështetur në këtë protestë edhe nga Shoqata e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Prodhuesve. Ata paralajmëruan protesta të pandërprera së bashku nëse nuk do të rishikohen kriteret e mbështetjes me subvencione. Sipas tyre, rritja e dyshemesë, si për sipërfaqen e kultivuar, ashtu edhe për numrin e krerëve, do të s’kualifikonte rreth 60-70% të aplikantëve. Gjithashtu, blegtorët kërkojnë që skema të përfshijë edhe subvencionimin për qumështin me 10 lekë për litër.

Qarku i Gjirokastrës është qarku kryesor blegtoral në vend me rreth 400 mijë krerë të imëta, 20 mijë gjedhë dhe mbi 21 mijë koshere bletësh. Gjirokastra gjithashtu ka rreth 700 ha të mbjellë me vreshta dhe 2000 ha të kultivuar me frutikulturë dhe ullinj.

Top Channel