Zhbllokohen aplikimet për fondin e komunitetit në kryeqytet, Bashkia Tiranë: Rimbursojmë edhe zëvendësimin e depozitave të ujit

09/10/2026 22:21

Pas rimarrjes së kompetencave për Bashkinë e Tiranës, nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, riaktivizohet ndihma dhe zhbllokohen procedurat për fondin e komunitetit në kryeqytet.

Kështu, të gjithë projektet e mbetura pezull në muajt e fundit, kanë marrë dritën jeshile, duke bërë që t’i jepet zgjidhje kërkesave të qytetarëve të Tiranës.

Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve ndaj Qytetarit në Bashkinë e Tiranës, Dritan Dango zhvilloi disa takime me administratorë pallatesh në kryeqytet, ndërsa dha lajmin e mirë se këtë vit në fondin e komunitetit ka një risi, ku të të gjithë ato familje, ato pallate të cilat kanë depozitat në katet e fundit të pallateve dhe duhet t’i zhvendosin në katin e parë me një depozitë të përbashkët, Bahskia e Tiranës do të rimbursojë 50% për banorët, dhe 100% për pensionistët dhe familjet në nevojë.

“Fondi i komunitetit është një ndër programet më të kërkuara në Bashkinë e Tiranës. Ne këto 10 vite, buxheti është shtuar vit për vit. Siç dihet me fondin e komunitetit, ne si Bashki e Tiranës rimbursojmë vendosjen e ashensorit që është një ndër kërkesat më të kërkuara, ku të gjithë banorët e pallateve të cilët nuk kanë një ashensor mund të aplikojnë në Bashkinë Tiranë dhe përfitojnë 50% të rimbursimit nga Bashkia e Tiranës por të mos harrojmë që kemi edhe pensionistët dhe familjet të cilët marrin ndihmë ekonomike, ku Bashkia ua paguan 100% fondin e komunitetit”, nënvizoi Dango.

Programi synon të ndihmojë komunitetet e banorëve në financimin e ndërhyrjeve që lidhen me përmirësimin e godinave dhe hapësirave të përbashkëta, duke përfshirë instalimin e ashensorëve, izolimin e tarracave dhe termoizolimin e fasadave.

Bashkia e Tiranës u bën thirrje banorëve që kanë nevojë për ndërhyrje të tilla në hapësirat e tyre të përbashkëta, të riaplikojnë për fondin e komunitetit

Ky fond nga ana e Bashkisë së kryeqytetit mbulon 50% të kostos së përcaktuar për ndërhyrje të tilla si instalimi i një ashensori, izolimi i tarracës apo vendosja e sistemit kapot.

Mbështetja është edhe më e madhe për kategoritë sociale. Për pensionistët dhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, Bashkia parashikon mbulimin e 100% të kostos.

Në këtë mënyrë, programi synon të bëjë të mundur realizimin e investimeve edhe në pallatet ku një pjesë e familjeve mund ta kenë të vështirë të përballojnë financiarisht ndërhyrjet.

Top Channel