Atalanta është në emergjencë në sulm, pasi dy kolumbianët, Muriel dhe Zapata janë të dëmtuar, teksa ndaj Olympiacos ishte mbrojtësi shqiptar Berat Gjimshiti ai që bëri bomberin, duke shënuar dy herë në fitoren 2-1.

Gjimshiti nuk e fshehu kënaqësinë për golat e shënuar, teksa me humor u shpreh se ndoshta duhet të marrë në konsideratë aktivizimin në sulm, në ndeshjet e ardhshme.

“Pas dy golave të sotëm, duhet ta mendoj aktivizimin si sulmues, pasi Muriel dhe Zapata janë dëmtuar. Përtej shakave, shpresoj të na rikthehen sa më shpejt, pasi janë shumë të rëndësishëm për ne. Në pjesën e parë bëmë disa gabime, që i korrigjuam në të dytën dhe jam shumë i lumtur që golat e mi shërbyen për fitoren e ekipit”, deklaroi Gjimshiti.

Edhe trajneri Gasperini nuk i kurseu komplimentet për mbrojtësin kuqezi, por pranoi se situata në sulm është emergjente.

“Në nëntor na mungonin të gjithë mbrojtësit, ndërsa tani sulmuesit. Sot ishte radha e Pasalic, ndërsa në të ardhmen mund të luajë Gjimshiti, apo edhe ndonjë portier në sulm, pasi jemi në emergjencë. Jam shumë i kënaqur me fitoren dhe i lumtur për golat e Gjimshitit, pasi e meritonte një mbrëmje kështu”, tha trajneri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA