Tensionet me Ukrainën! Lavrov i kërkon Putinit më shumë kohë për diplomaci!

14/02/2022 16:32

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i sugjeroi të hënën, Presidentit Vladimir Putin që Moska të vazhdojë rrugën diplomatike në përpjekjet e saj për të marrë garanci nga Perëndimi, ndërsa tensionet rriten mbi Ukrainën.

Lavrov i tha Putinit se Shtetet e Bashkuara kishin paraqitur propozime konkrete për reduktimin e rreziqeve ushtarake, por tha se përgjigjet nga Bashkimi Evropian dhe aleanca ushtarake e NATO-s nuk ishin të kënaqshme.

Në një komunikim televiziv, Putini u shfaq duke pyetur Lavrovin nëse kishte një shans për të arritur një marrëveshje për të adresuar shqetësimet e sigurisë së Rusisë, apo nëse ajo thjesht po futej në negociata të vështira.

Lavrov u përgjigj: “Ne kemi paralajmëruar tashmë më shumë se një herë se nuk do të lejojmë negociata të pafundme për çështjet që kërkojnë zgjidhje sot.” Por si ministër i Jashtëm, tha ai, “Më duhet të them se ka gjithmonë shanse.”

Ai shtoi: “Më duket se mundësitë tona nuk janë shteruar… Në këtë fazë do të sugjeroja vazhdimin dhe ndërtimin e tyre.”

Komentet dukej se sinjalizonin një mundësi të reduktuar të një aksioni të afërt ushtarak rus pas paralajmërimeve të përsëritura nga Shtetet e Bashkuara se Rusia mund të sulmonte Ukrainën në çdo kohë.

Moska, e cila ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa pranë kufirit rus me Ukrainën, ka mohuar vazhdimisht çdo plan për të pushtuar dhe ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj për histeri.

Lavrov tha se kishte marrë përgjigje “të pakënaqshme” për një letër që ai u dërgoi dhjetëra anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s për çështjen e “sigurisë së pandashme” – një referencë për ankesën e Rusisë se Ukraina dhe vendet perëndimore po forcojnë sigurinë e tyre në kurriz të Rusisë dhe se kjo është në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare.

“Kam marrë përgjigje të pakënaqshme, asnjë nga kolegët e mi ministra nuk iu përgjigj mesazhit tim të drejtpërdrejtë”, tha ai. “Prandaj ne do të vazhdojmë të kërkojmë një reagim konkret nga secili vend.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA