Korçarët e duan punën! Korça, qarku i dytë me interes për vende pune në rang vendi

10/02/2022 12:24

Korça u rendit si qarku i dytë në vend me interes më të lartë për punën nga të dhënat e INSTAT.

Shifrat e 3-mujorit të tretë të vitit të kaluar tregojnë se 68.7 % e popullsisë në moshë pune ishin të punësuar ose në kërkim të një vendi pune. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për personat mbi 15 vjeç në këtë qark pësoi një rritje me 5,2% nga tremujori i parë i vitit ndërsa sektori kryesor mbetet ai i hoteleri turizmit dhe punët digjitale.

Por, pavarësisht kërkesave për punë, tregu vendas mbetet ende i parregulluar dhe janë kryesisht të rinjtë, ata të cilët hasin vështirësi. Raporti mes punëdhënësve dhe punëmarrësve mbetet i vështirë sepse nga njëra anë punëdhënësit ofrojnë pagesa të ulëta dhe kërkojnë kualifikime apo eksperiencë e nga ana tjetër të rinjtë kërkojnë pagesa më të mira duke preferuar të punojnë për tregun e huaj apo të largohen nga qyteti.

Ndryshe nga ky sektor, gjetja e forcës punëtore në profesione të veçanta mbetet e vështirë për punëdhënësit dhe në disa specialitete tregu ka mungesa të theksuara.

Top Channel