Gazeta sportive Mundo Deportivo shkruan se drejtuesit e klubit sportiv të Barcelonës janë në bisedime me platformën e transmetimit muzikor Spotify për nënshkrimin e një marrëveshjeje të madhe sponsorizimi që mund ta ndihmonte klubin të përballet me krizën e rëndë ekonomike në të cilën ndodhet.

Gazetat dhe radiot katalanase shkruajnë se kjo marrëveshje me shumë gjasa parashikon që platforma Spotify të stampohet si sponsor në fanellën e re të skuadrës në përfundim të kontratës aktuale që ka me grupin japonez Rakuten dhe që pritet të përfundojë në fund të muajit qershor.

Përveç fanellës, e cila sipas informacioneve duhet të sjellë rreth 340 milionë euro në pesë vjet, Spotify pritet të blejë përkohësisht edhe të ashtuquajturat të drejta të titullit të stadiumit Camp Nou, i cili për herë të parë në 65 vjet histori, mund të ketë një sponsor si pjesë e emrit të tij; në Barcelonë flitet për një stadium të mundshëm “Camp Nou Spotify”.

Nëse negociatat do të përfundonin, do të ishte një marrëveshje e rëndësishme në shumë aspekte, duke filluar me hyrjen në futboll të një prej kompanive të mëdha tekonologjike, një gjë e cila ka ndodhur shumë rrallë deri më tani.

Spotify, megjithatë, është një kompani evropiane, e themeluar në Suedi në vitin 2006 dhe ka qenë gjithmonë e prirur për ta theksuar këtë. Nuk është rastësi që themeluesi i saj, Daniel Ek, u përpoq për një kohë të gjatë të blejë Arsenalin nga miliarderi amerikan Stan Kroenke, duke shfrytëzuar pakënaqësinë e tifozëve dhe duke përfshirë në përpjekjet e tij edhe ish-lojtarë të famshëm si Thierry Henry dhe Dennis Bergkamp.

Është gjithashtu një periudhë në të cilën disa kompani të mëdha teknologjike të kontinentit kanë filluar të shfaqen në botën e futbollit dhe sportit në përgjithësi, siç është TeamViwer-i gjerman, i cili është bërë sponsori i ri që nga sezoni aktual i fanellës së Manchester United.


Por, marrëveshja mes Spotify dhe Barcelonës, mund të jetë një marrëveshje thelbësore veçanërisht për klubin spanjoll, që po lufton me krizën më të rëndë ekonomike në historinë e tij të fundit.

Bilanci vjetor u mbyll me një humbje prej 481 milionë eurosh dhe me një borxh prej 1 miliard e 350 milionë eurosh. Megjithatë, Barcelona po vazhdon të mbajë në këmbë popullaritetin e saj, i cili edhe pse shënon një nga vitet më të këqija, ka kontribuar në realizimin e 631 milionë euro të ardhura.

Në nivelin sportiv skuadra është zvogëluar. Në ligën spanjolle është në vend të pestë, kurse në Champions League është eleminuar që në fazën e grupeve për herë të parë në njëzet vitet e fundit. Klubi gjithashtu duhet të respektojë limitin e shpenzimeve të vendosura nga federata spanjolle me qëllim shmangien e përkeqësimit të buxhetit financiar, por që ndikon në strategjinë e tregut, edhe nëse skuadra do të ketë nevojë për përforcime.

Në fillim të janarit, për shembull, Barcelona bleu mesfushorin Ferran Torres nga Manchester City për 55 milionë euro, por që kontratën më të nuk arriti ta nënshkruajë dot për disa ditë, si pasojë e detyrimit të kufizimeve që klubi ka në buxhetin e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA