Është e natyrshme që pas tetë vitesh të ketë ndonjë thinjë më shumë. Por në dy aspekte Roberto Mancini nuk ka ndryshuar aspak: stili me të cilin prezantohet në pankinë dhe skema e lojës. Nga viti 2018 në 2026-n, rreshtimi i tij fillestar pritet të jetë gjithmonë i njëjti: 4-3-3.

Kanë kaluar plot 3042 ditë nga debutimi i trajnerit në krye të kombëtares. Për “Mancio”-n, hera e parë ishte një miqësore, e cila në mënyrën e saj rezultoi paralajmëruese. Në San Gallo të Zvicrës luhej një test para Botërorit 2018. Me ndryshimin e vetëm se rivali i asaj dite, Arabia Saudite, bëhej gati të nisej për në Rusi. Ndërsa të kaltrit, atëherë ashtu si sot, ishin të destinuar ta ndiqnin nga divani i shtëpisë.

Rezultati, të paktën, i dhuroi buzëqeshjen e parë Mancinit me një fitore të ngushtë 2-1. Golashënuesi i parë ishte lojtari me raportin më “dashuri dhe urrejtje” në karrierën e teknikut italian. Në minutën e 21-të, një gjuajtje e djathtë nga jashtë zone e Mario Balotellit vulosi golin e parë të epokës Mancini. Në pjesën e dytë, dyfishimi erdhi nga “Gallo” Belotti, i cili zëvendësoi pikërisht SuperMarion. Goli që ngushtoi shifrat nga Al Shehri kompletoi rezultatin.

Siç e thamë, skema ishte e njëjtë me atë që Italia pritet të zbresë nesër në fushë. Por lojtarët kanë ndryshuar të gjithë. Ose pothuajse të gjithë. I vetmi “i mbijetuar” është kapiteni. Nesër, Donnarumma do të mbrojë portën e të kaltërve, ashtu si në atë 28 maj 2018. Përpara Gigios, atëherë luanin Bonucci dhe Romagnoli, me Zappacostën në të djathtë dhe Crisciton në të majtë. Jorginho ishte ende metronomi i skuadrës, i mbështetur nga Florenzi dhe Lorenzo Pellegrini. Në sulm, treshja përbëhej nga Politano, Balotelli dhe Insigne. Duke i hedhur një sy listës së të grumbulluarve, gjejmë dy rastësi me të sotmen. Bashkë me Donnarummën, në të dyja listat figuron emri i Rolando Mandragorës, atëherë te Crotone, sot te Torino.

Një përballje që, pas gati një dekade, ngjan si një lojë e fatit. Pesë vite pas atij debutimi, “Mancio” do të joshej nga petrodollarët sauditë duke e braktisur Italinë në mes të gushtit. Këtë verë erdhi pajtimi i madh. Dhe ashtu si në 2018-n, trajnerit i duhet të ringrejë fanellën e të kaltërve nga hiri. Do ta provojë që nesër, përballë Belgjikës. Dhe ndoshta, në Bruksel, dikush mund të ketë vënë bast që tani për një kalim të ardhshëm të Mancinit te “Djajtë e Kuq”.

Top Channel