Kupa ndizet me derbin e kryeqytetit, Arapi e rinis në Korçë me Teutën

27/01/2022 10:53

Dinamo dhe Partizani do të përballen në derbi, që këtë herë ka muzikën e Kupës së Shqipërisë (16:45).

Në “Air Albania” blutë do të takohen me “demat” e kryeqytetit në aktin e parë të fazës çerekfinale, ku do të kërkojnë të hedhin një hap të rëndësishëm për në në raundin tjetër. Si Dinamo ashtu dhe Partizani ndodhen larg zonës së Evropës dhe nuk janë paraqitur sipas pritshmërive në gjysmën e parë të kampionatit dhe Kupa mund të jetë një mundësi e mirë jo vetëm për të marrë trofe, por edhe që të sigurojnë një biletë për në Conference League.

Dinamo ka pësuar vetëm një gol në katër ndeshjet e fundit, ndërsa me afrimin e Denisson dhe Lilajt skuadra ka një tjetër fytyrë e do të kërkojë që të kalojë një tjetër kundërshtar të vështirë, pasi eliminoi Tiranën. Partizani në anën tjetër, nën drejtimin e Dritan Mehmetit ka marrë 4 pikë në këto dy ndeshje të zhvilluara në janar dhe synon të vijojnë me rezultate pozitive, ndërsa në dy ndeshjet e zhvilluara këtë sezon me blutë e kryeqytetit ka marrë një fitore dhe një barazim.

Në Korçë (13:45), Skënderbeu do të presë Teutën në dy ndeshje radhazi, por para se të mendojë për takimin e së hënës në kampionat, skuadra e Memellit do të kërkojë që të marrë një rezultat sa më pozitiv, për të diskutuar kualifikimin më pas në ndeshjen e kthimit. Skuadra korçare do të kërkojë që të shfrytëzojë momentin jo të mirë që po kalon ekipi durrsak. Renato Arapi do të nisë aventurën e tij të dytë si trajner i Teutës pikërisht në stadiumin “Skënderbeu” e do të kërkojë që t’i lërë pas ato katër humbje të njëpasnjëshme të skuadrës bregdetare, për të bërë kthesën që aq shumë e dëshirojnë në Durrës. Përballë do të kenë finalistët e sezonit të shkuar të këtij kompeticioni, ndërsa në fazën e parë të kampionatit kanë barazuar 2-2./ Supersport

Top Channel