Mancini i tunduar nga Premier League, rikthehet te rivalët e ish-klubit

26/01/2022 22:41

Fokusi i Roberto Mancinit mesa duket nuk është vetëm tek Play-Off që Italia do të luajë në muajin mars ku Kampionët e Europës do të kërkojnë kualifikimin për në Botërorin e Katarit.

Kështu, një nga më të besuarit sa i përket pjesës së merkatos, Fabrizio Romano, shprehet i sigurt se tekniku 57-vjeçar është i tunduar nga ideja për t’u rikthyer në Premier League pas eksperiencës me Manchester City, klub me të cilin u shpall edhe kampion.

Por, rikthimi i Mancinit mund të jetë në të njëjtin qytet, mirëpo jo në pjesën blu të tij. Mancini është një alternativë për stolin e Manchester United, teksa “Djajtë e Kuq” deri në fundin e sezonit i kanë besuar Ralf Rangnick, e më pas do të vendosen sërish në kërkim të një tekniku pasi gjermani do të marrë rolin e këshilltarit.

Megjithatë, ende nuk ka kontakte të drejtpërdrejta mes United dhe Mancinit, teksa për të kuptuar më qartë të ardhmen e italianit duhet pritur fundi i sezonit, ndërsa një moskualifikim i Italisë në Botëror vetëm rrit shanset që palët të bashkohen.

Top Channel