Kryeministri Edi Rama ka mbledhur Grupin Parlamentar të PS-së këtë të hënë.
Fillimisht e nisi me procesin e Këshillimit Kombëtar duke theksuar se është investim në funksion të fuqizimit të lidhjes së punës me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.
“Ky proces mund të ketë pikëpyetje dhe të metat e veta, siç edhe do ketë kundërshti përkatëse dhe do marrë racionin e vet të baltës, por besoj se asnjë pikëpyetje dhe as balta e pritshme nuk e ul vlerën e këtij investimi në funksion të fuqizimit të lidhjes së punës me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, si dhe të epokës së zymtë të ndasisë partiake, duke shkuar te njerëzit, jo vetëm për fushata zgjedhje. Nuk do të hedhim asnjë hap të nxituar. Këshillimi do të marrë të gjithë kohën e vet, pasi është një ndërmarrje jo e lehtë”, tha ndër të tjera Rama.
Kreu i PS-së, nuk la pa përmendur edhe konfliktin në PD mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, duke mos lënë pas as presidentin Ilir Meta.
“Të dy në sherr për vulën e 8 janarit dhe një i tretë që merr jetë nga ata të dy. Kjo është oferta për demokratët të gjithë ata që enden fatkeqësisht që e quajnë veten pjesë të këtyre popujve, ndërkohë që populli shqiptar është i qartë për çdolloj që sheh. Në emër të këtyre do thirren bravaxhinjtë, trastaxhinjtë, si ato lojërat në Tironë kur isha i vogël, rraqe rraqe kikio, teksa rraqet do hidhen mbi njëra tjetrën duke i kthyer gjashtë bashki në rraqe që duhet të hapen. Ne duhet të shikojmë punën tonë derë më derë në të gjitha lagjet me deputetët përkatës me partinë me territor për të mos promovuar turizmin elektoral, me deputetë që bëjnë më shumë zhurmë se punë. Me një prag të mirëpërcaktuar me çfarë dhe kur të jetë në fushata, jo mitingje, jo grumbulli me masive në salla të mbyllura, por punë kokë më kokë me njerëzit. Me kokën ulur dhe veshët hapur është këshilla ime”, tha Rama.
Top Channel