Ish e dashura e Princit Andrew: Clinton dhe pedofili Epstein ishin si vëllezër (fotot)

20/01/2022 20:48

Një nga ish-të dashurat artistokrate të Princit britanik Andrew ka thënë së fundmi se ish-presidenti Bill Clinton dhe pedofili famëkeq Jeffrey Epstein ishin aq të afërt “sikur të ishin vëllezër”.

Britanikja Lady Victoria Hervey tha: “Clinton ishte shumë i afërt me Jeffrey, ishin si vëllezër, po ashtu dhe Ghislaine”.

Komentet e aristokrates 45 vjeçare vijnë në një dokumetar të ri të rrjetit televiziv ITV, me titull “Ghislaine, Princi Andrew dhe Pedofili” të transmetuar dje në Britani.

Lady Victoria shtonte se Ghislaine Maxwell, e kishte prezantuar atë fillimisht me princin Andrew me të cilin u shoqërua për disa kohë në vitin 1999.

Pedofili financier Jeffrey Epstein vdiq papritur në burg në fund të 2019 teksa priste gjykimin për akuza trafkimi seksual të minoreneve, ndërsa krahu i tij i djathtë i shfrytëzimit të vajzave, Ghislaine Maxwell pret dënimin pas shpalljes fajtore për të njëjtat akuza në New York.

Lady Victoria tha më tej: “Nuk e di nëse e keni parë pikturën që ishte në shtëpinë e Jeffrey Epstein? Në një prej tyre është një portret i Bill Clinton i veshur me fustanin që Monica Lewinsky mbante në ditën e aferës se tyre”.

“Kështu që po, ishte shumë i afërt me Jeffrey Epstein. Ishin të gjithë si vëllezër, bashkë me Ghislaine,” thotë ajo në dokumentar.

Hervey është bija e markezës së 6-të të Bristol dhe personazh i njohur televiziv asokohe. Ajo thote se beson se Maxwell e Epstein e kanë përdorur edhe atë si “grep” për të tërhequr vajza të reja  për t’u shfrytëzuar nga rrjeti pervers i abuzuesve.

Ajo insiston se kjo është dhe arsyeja që dyshja bashkë me Clinton, afroheshin te princi i famshëm Andrew, të cilit tashmë i janë hequr titujt mbretërore nga familja pas skandalit.

“Princi Andrew ishte biri i mbretëreshës së Anglisë. Amerikanët e pëlqejnë shumë këtë, Jeffrey këtë donte, ashtu dhe Bill Clinton,” thotë ajo në dokumentarin e ITV.

Në të tjera raportime thuhet se Andrew dhe Maxwell, bija e baronit famëkeq britanik të mediave Robert Maxwell, ishin gjithashtu shumë të afërt, ndoshta çift.

Hervey justifikohej për veten e saj duke thënë asokohe ishte “e re dhe naive” për të kuptuar çfarë kërkonin Epstein dhe bashkëpunëtorja e tij, e shpallur fajtore për trafikim seksual minorenesh.

Një zëdhënës për Bill Clinton nuk ktheu kërkesat e mediave për komente, por më herët ka thënë se Clinton “nuk di asgjë për krimet e rënda të Jeffrey Epstein.”

Maxwell u shpall fajtore muajin që shkoi në Manhattan por po kërkon rigjykim për “mangësi informacioni mbi anëtarët e jurisë.”

FOTO GALERI
3/6
Britanikja Lady Victoria Hervey tha: “Clinton ishte shumë i afërt me Jeffrey, ishin si vëllezër, po ashtu dhe Ghislaine”.

Top Channel