Tërmet në Qarkun e Fierit/ Lëkundjet ndihen në Lushnje dhe Elbasan, ja sa ishte magnituda
Dobësimi i monedhës evropiane në tregun shqiptar, në kulmin e sezonit veror, ka prekur minimume të reja. Ndonëse Banka e Shqipërisë, në kursin zyrtar të këmbimit, regjistron një vlerë tregtare prej 92.44 lekësh, në pikat e këmbimit valutor, bankat e nivelit të dytë apo biznese të ndryshme, euro po blihet prej tyre poshtë vlerës së 90 lekëve.
Konkretisht, kjo është panorama e kursit të këmbimit që na ofrojnë bankat e nivelit të dytë, në të cilat shkëmbehen dhe vlerat më të larta të monedhave, ku 1 euro këmbehet me 90.5 lekë, 90.4 lekë, 90.2 lekë.
Ndërsa një prej bankave më të mëdha në vend regjistron këtë të martë një kurs këmbimi prej 89.4 lekësh, duke regjistruar vlerën më të ulët të arritur ndonjëherë. Duke i bërë eurot në duart e qytetarëve edhe më pak të vlefshme kundrejt lekut vendas.
Një dobësim i euros është vërejtur më shumë edhe gjatë muajve të sezonit veror, teksa flukset valutore të turistëve, remitancat e sjella nga emigrantët, rritja e investimeve të huaja, si dhe informaliteti në treg, kanë bërë që vetëm brenda 3 muajve të dobësohet me 6.31%, nga 95.42 lekë në 89.4 lekë.
Në të njëjtën linjë ndodhen edhe monedhat e tjera. Dollari gjithashtu ka pësuar rënie të ndjeshme, duke arritur në 79.23 lekë, ndërsa paundi britanik këmbehet poshtë vlerës së 106 lekëve.
Një rënie e ndjeshme e euros, kryesisht, por edhe e monedhave të tjera, ka ndikuar negativisht në shumë sektorë. Për Top Channel, eksportuesit kanë deklaruar se do t’i drejtohen me një tjetër kërkesë zyrtare qeverisë për shkak të humbjeve të regjistruara. Gjithashtu, edhe bizneset që operojnë në monedhë tregtare me dollarë kanë pësuar humbje të mëdha nga rëniet valutore.
Ndërsa më të fituarit nga kjo betejë janë importuesit dhe ata të cilët kanë pagat dhe kreditë në monedhën evropiane, si dhe borxhi i jashtëm i vendit.
Për të rritur rezervën valutore dhe ndërhyrë në kursin e këmbimit, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu 95.5 milionë euro, gati 3-fish më shumë se në të njëjtën periudhë në 2025. Ndërsa deri në fund të vitit planifikon të tërheqë nga tregu 330 deri në 450 milionë euro.
Por përsëri, sipas ekspertëve të tregut, ndikimi nuk do të jetë shumë efektiv, teksa niveli i euroizimit të ekonomisë është rritur ndjeshëm. Një politikë e deeuroizimit, sipas tyre, do të ndihmonte në stabilitetin e monedhës.
KURSI I KËMBIMIT NË DISA PREJ BANKAVE
BLERJE SHITJE
89.4 LEKË 95.4 LEKË
89.53 LEKË 95.07 LEKË
90.1 LEKË 95.3 LEKË
90.4 LEKË 95.4 LEKË
90.5 LEKË 95.1 LEKË
RËNIA E EUROS NË SEZONIN VEROR
1 Qershor 2026 95.42 lekë
25 gusht 2026 89.4 lekë -6.31%
KURSI I KËMBIMIT I MONEDHAVE
EURO 92.44 LEKË
DOLLAR 79.23 LEKË
PAUND 108.7 LEKË
Top Channel