U nda nga jeta në moshën 80-vjeçare, Trump shpall 7 ditë zie për Dolly Parton: Pusho në paqe, bota të do

25/08/2026 21:21

Legjenda e muzikës country, Dolly Parton, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare, duke lënë pas një karrierë gjashtëdekadëshe dhe një trashëgimi të jashtëzakonshme në muzikë dhe filantropi.

Vdekja e saj u njoftua të martën nga nipi i saj, Bryan Seaver, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale.

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi ndaj lajmit përmes platformës Truth Social, duke e cilësuar vdekjen e këngëtares si një humbje të madhe për miliona njerëz.

Në nderim të saj, Trump njoftoi se flamujt amerikanë do të ulen në gjysmështizë në të gjithë vendin për një javë.

“Me hidhërim të madh njoftoj se Dolly Parton, një nga këngëtaret më të mëdha të muzikës country të të gjitha kohërave, sapo ka ndërruar jetë. Kjo është një humbje e vërtetë për miliona njerëz. Nuk ka pasur kurrë askënd si ajo dhe nuk do të ketë kurrë më”, shkroi Trump.

Ai e mbylli mesazhin e tij me fjalët: “Pusho në paqe, Dolly! Bota të do.”

Një ikonë e muzikës country

Dolly Parton ishte një nga figurat më të rëndësishme të muzikës country, me një karrierë që përfshiu më shumë se gjashtë dekada. Ajo u bë e njohur në mbarë botën me këngë si “Jolene”, “9 to 5” dhe “I Will Always Love You”.

Parton fitoi 11 çmime Grammy dhe shiti më shumë se 100 milionë disqe gjatë karrierës së saj.

Përtej muzikës, ajo u shqua edhe për veprimtarinë e saj filantropike. Përmes programit Imagination Library, ajo kontribuoi në nxitjen e leximit te fëmijët, duke shpërndarë libra falas në një shkallë të gjerë.

Vdekja e saj ka shkaktuar reagime të shumta në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën, ndërsa figura të njohura të muzikës dhe politikës kanë shprehur ngushëllimet e tyre.

Top Channel