Trump ashpërson politikat e emigracionit, SHBA gati t’ua anulojë vizat deri në 200 mijë azilkërkuesve

25/08/2026 21:02

Qeveria amerikane po përgatitet të revokojë vizat e biznesit dhe turistike të një numri të madh të huajsh që kanë aplikuar për azil në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të politikës së ashpër të administratës së Presidentit Donald Trump ndaj emigracionit.

Departamenti i Shtetit konfirmoi se po punon me Departamentin e Sigurisë Kombëtare për të identifikuar dhe revokuar vizat e personave që kanë hyrë në SHBA duke deklaruar se do të qëndronin për një periudhë të shkurtër, por më pas kanë aplikuar për azil.

“Ne po punojmë me Departamentin e Sigurisë Kombëtare për të identifikuar dhe revokuar vizat joimigruese të të huajve që erdhën në Shtetet e Bashkuara duke pretenduar se ishin vizitorë afatshkurtër, por më pas aplikuan për azil në mënyrë që të qëndronin këtu përgjithmonë”, deklaroi për AFP zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.

“Marrja e një vize me qëllim kërkimin e azilit është mashtrim, i cili justifikon revokimin e vizës”, shtoi ai.

Mediat amerikane raportojnë se numri i vizave që mund të revokohen arrin deri në 200 mijë, çka do të përbënte një rekord.

Departamenti i Shtetit nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar këtë shifër, por ka theksuar se procesi do të zhvillohet gradualisht.

Në fillim të gushtit, Departamenti i Shtetit njoftoi se që nga rikthimi i Donald Trump në pushtet, në janar 2025, rreth 175 mijë të huajve u janë revokuar vizat për arsye të ndryshme.

Këto përfshijnë aktivitetin kriminal, shkeljet e ligjit, si drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit, si dhe raste të tjera që administrata i ka konsideruar të papërshtatshme.

Administrata amerikane ka revokuar së fundmi edhe vizat e disa zyrtarëve politikë meksikanë, përfshirë djalin e ish-presidentit Andrés Manuel López Obrador. Presidentja aktuale e Meksikës, Claudia Sheinbaum, e ka akuzuar Uashingtonin për “bashkëpunim”.

Top Channel